Arbëri

Rrahmanaj: Në Hagë u mora në pyetje edhe për një dëshmi të LDK-së për zyrat në Malishevë

I sapo kthyeri nga Haga, Ahmet Rrahmanaj në Interaktiv të KTV-së ka treguar se çfarë është pyetur nga Gjykata Speciale.

Rrahmanaj ka konfirmuar se ishte i ftuar si dëshmitar.

“Pas kontakteve të para telefonike ka ardhur më pas ftesa. Me datë 13 kam udhëtuar për në Hagë. Më 14 jam intervistuar nga Gjykata Speciale, për dy ditë, pra edhe me 15 maj. Si ftesë nuk ka qenë e specifikuar se si çfarë jam ftuar, por atje kur kam shkuar e kam kuptuar se isha i ftuar si dëshmitar”, ka thënë Rrahmanaj, ish-pjesëtari i Brigadës 122 ”Ymer Krasniqi” në Malishevë.

Rrahmanaj tuje ka shtuar se është pyetur kryesisht për zhvillimet që kishin ndodhur gjatë luftës, më saktësisht për periudhën e korrikut 1998.

“Kanë qenë të interesuar për vijën komanduese. Në korrik të ’98 ka qenë lufta e Rahovecit, e kryesisht tema ka qenë për ato ngjarje. Edhe pse nuk ka pasur të bëjë për Malishevën, hetuesit kanë pyetur për fatin serbëve të zhdukur. Por, kjo ka ftesë ka ardhur për shkak se një familje kishte ardhur nga Rahoveci në Malishevë”, tha ai. “Ka qenë një familje serbe, një nënë 23 vjeçare dhe një fëmijë i moshës dy vjeçare dhe vjehrra e saj kanë ardhur në shtabin e UÇK-së”.

Rrahmanaj thotë se kontakti i tyre në atë kohë ndaj kësaj familje serbe ishte shumë korrekt, madje edhe i kishin ushqyer dhe pas kësaj i kishte marrë Kryqi i Kuq.

“Absolutisht nuk janë torturuar e ky fakt më bën krenar. Ato kanë dhënë dëshmi në Hagë se si janë trajtuar në Malishevë. Kur ato kanë ardhur në shtab ne ishim prezantuar me emra, në mënyrë që ato të ndiheshin më lirë dhe të mos frikësoheshin. Sigurisht se këto shkojnë në favor tonin, se ato janë treguar korrekte. Sigurisht ne kemi pyetur për fatin e bashkëshortit të saj, por ato nuk e dinë se ku kishte shkuar. Nuk e dimë nëse e kanë vrarë atë ushtarët e UÇK-së apo jo”, u shpreh Rrahmanaj.

Sipas tij ky është një nga elementet që e vërteton pastërtinë e UÇK-së.

Tutje ai ka bërë të ditur se në Hagë kishte edhe një dëshmi të LDK-së.

“Prej shumë provova materiale që janë dalë aty dëshmi tjetër është edhe ajo e deponuar nga dega e LDK-së në Malishevë, megjithatë ato janë inate politike pas lufte. Edhe pse gjatë intervistës time në Hagë është bërë presion, pasi jam njëri ndër të paktët që kam qenë transparent që nga ftesa ime atje. Pjesëtarët e UÇK-së s’kanë çfarë të fshehin. Kjo është gjykata e katërt që kalojmë këto procese, megjithatë është një proces politik që po na dëmton”, u shpreh ai.

Tutje ai ka konfirmuar se kjo dëshmi e LDK-së ishte deponuar në vitin 2000, e cila thoshte se UÇK-ja kishte urdhëruar mbylljen e aktiviteteve të LDK-së, por sipas Rrahmanajt ishte kërkuar vetëm lirimi i lokaleve.

“Ajo nuk ka qenë një dëshmi kundër meje, por kundër njerëzve të UÇK-së në përgjithësi. Mund të kishte edhe gabime në atë kohë, por ky është një fakt. Ajo ishte deponuar më ‘99 ose 2000. Ka qenë më shumë që ju keni urdhëruar me e mbyll aktivitetin. Sigurisht neve na është dashtë hapësira e madhe. Periudha e më vonshme është deponuar për shkak të rivalitetit politik. Sigurisht se nuk është e lehtë kur e sheh një dëshmi prej një partie që pjesa dërrmuese kanë qenë nga ushtarë të UÇK-së. Kjo është diçka e papranueshme. Shkresa e lëndës me dokumentin fizik, pasi në këtë dokument kërkohet mbyllja e lokaleve jo mbyllja e aktivitetit. Asnjëherë nuk është mbyllë aktiviteti i tyre. Përveç shpjegimit, ka qenë edhe vet kërkesa që ishte për lirim objektesh”, ka thënë ai.

Rrahmanaj shton se Prokurori tentonte që ta çonte rastin se ne kemi përdorur dhunë, por kjo nuk është e vërtetë.

“Flitet se ajo ishte deponuar në vitin 2000. Më shumë Gjykata merret me hierarkinë komanduese, sesa me diçka konkrete. Gjithsesi se i njohim ata persona. Nuk e kemi ditur se ishte deponuar një dëshmi e tillë në Hagë”, thotë ai.

Rrahmanajn e kishin brengosur dy gjëra para se të shkonte në Hagë.

“Dy gjërat që më kanë brengosur ishin: me çfarë do të ballafaqohem atje, dhe a do të kthehem mbrapa. Jam i gatshëm që të kryejë dënimin nëse vërtetohet se ka ndodhur një krim nga njësiti im, por kjo s’ka ndodhur. Vet trajtimi kur hyni aty të jep një presion. Në gjuhën shqipe kam dhënë deklaratën. Besoj se kanë rrjedhë gjërat mirë, pasi gjithçka është transparente e bëhet edhe incizimi. Këtu s’ka hapësirë për manovrime dhe mashtrime të asaj se çfarë kemi thënë”, tregon Rrahmanaj, i cili shton se, “Nuk kanë pyetur për vrasjen e ndonjë shqiptari”.


“Gjykata Speciale mund të gjykojë edhe serbët e Kosovës që kanë kryer krime”

Ai kishte refuzuar që të marrë me vete avokat, për shkak të çmimit të lartë të tyre.

“Pesë mijë euro ka kërkuar një avokat mesatar, që mendoj se është shumë shtrenjtë. Megjithatë apeloj te të gjithë ata që marrin ftesë nga Specialja, të marrin avokat me vete. Nëse për asgjë tjetër të duhet për ato pauzat e tmerrshme që je i vetëm, i izoluar në një dhomë me një panoramë të Hagës”, ka thënë Rrahmanaj.

Ai ka akuzuar Qeverinë se i ka harruar dhe nuk po ofron përkrahje për këtë kategori, ndërsa ka thënë se nga Shoqatat e Luftës, ka marrë vetëm përkrahje morale dhe këshilla.

“Dihet se ato nuk kanë para për të kontribuar më shumë”, ka thënë ai.

Për ata që marrin ftesë nga specialja ka pasur edhe një tjetër apel.

“Gjithë ata që marrin ftesë prej Gjykatës Speciale i ftoj ta bëjnë publike. Kjo është diçka që nuk mund të mbahet fshehtë. E dimë se e kanë bërë tonët, por e dimë edhe se kanë qenë të detyruar ta bëjnë”, ka thënë Rrahmanaj.

Megjithatë, Rrahmanaj ka thënë se vazhdon të mendojë se kjo Gjykatë është gjykatë raciste, e këtë thotë t’ia ketë thënë edhe prokurorit që e merrte në pyetje.

“Prokurori më ka thënë mos thuaj ashtu, se nuk është gjykatë raciste. Se është themeluar për të gjykuar qytetarët e Kosovës të cilët kanë kryer krime ndaj qytetarëve të Kosovës. Nuk kemi juridiksion për Serbinë, por nëse keni fakte se një serb i Kosovës ka kryer krime, ju lutem na sillni këtu”, ka cituar t’i ketë thënë një prokuror i Speciales.

Rrahmanaj ka folur edhe për aktivitetin e tij politik në PDK. Ka thënë se e ka pushuar atë pas vendimit të kësaj partie për koalicion me Nismën e Fatmir Limajt.

ishte fer, erdhi kryetari ditën e fundit dhe na kërkoi që të mobilizohemi dhe ta mbështesim për kryeministër, kur në orën 11:20 në televizionin tuaj e dëgjuam se është arritur marrëveshja për koalicion, dhe dikush tjetër është kandidat për kryeministër. Natyrisht se nuk na erdhi mirë”, ka thënë ai.