Arbëri

Krasniqi i Nismës kërkon ngritje pagash edhe për pensionistë e kategori të tjera

Descriptive Text

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, në një shkrim të vetin e ka përshëndetur lajmin për ngritjen e pagave për të punësuarit në arsim, shëndetësi, e administratë, po ai ka kërkuar që ngritje pagash të ketë edhe për kategori të tjera, transmeton Koha.net. Ai ka kërkuar ngritje pagash sidomos për pensionistë e kategori të tjera.

Ky është shkrimi i Krasniqit:

Nuk ka asnjë dyshim, ngritja e pagave në arsim, shëndetësi e administratë të shtetit është lajm i mirë, jo vetëm pse u janë ngritur të ardhurat kategorive të përmendura, por edhe pse është rritur Buxheti i shtetit e cila rritje po e mundëson ketë ngritje të pagave. Pastaj nuk ka asnjë dyshim se ky investim nuk është i mjaftueshëm për sa i përket arsimit dhe shëndetësisë. Këto shërbime publike kërkojnë një përkujdesje shumë herë më të madhe e më të dinjitetshme. Vetëm ngritja e pagave në këto shërbime nuk mjafton! Duhet përkujdesje tjetër! Për një përkujdesje tjetër në diskonim i kishit tri vite. Çka betë deri tani?

Në një situatë të tillë, natyrshëm shtrohet pyetja? Nga viti 2000/2001 e deri me sot, sa herë u janë ngritur pensionet, pensionistëve të moshës dhe atyre që prapa veti kanë vite të tëra të punës? Sa herë u janë ngritur ndihmat kategorive të ndryshme sociale, ku bëjnë pjesë të verbrit e kategoritë tjera me aftësi të kufizuara? Të gjitha këto kategori dhe të punësuarit në bizneset private, të cilët shfrytëzohet në mënyrën më të egër e pa asnjë mbrojtje institucionale (ligjore)?! Të gjithë këta që u përmenden duke i përfshirë edhe 25.000 familjet që nuk e kanë asnjë të punësuar janë shtetas të Republikës së Kosovës! Si këto kategori ta fitojnë interesimin e qeveritarëve?

Pse, pensionet dhe ndihmat e këtyre kategorive nuk rriten krahas shërbyesve publik dhe atyre të administratës se shtetit?! A nuk duhet edhe këta t’i gëzohen rritjes se Buxhetit të shtetit?! A nuk janë edhe këta kontribuues të këtij Buxheti?

Ketë që e bëni tani, nuk ka asnjë dyshim e bëni për blerjen e votave të kategorive që ua ngritët pagat, me parat publike dhe për ketë nuk keni të drejtë. Pse ngritjen nuk e betë në fillim ose në mes të mandatit qeverisës, por në fund të tij?

Nuk kam asnjë dyshim, kjo mënyrë e praktikë e keqe e qeverisjes duhet të ndërpritet, sa më parë aq më mirë!