Arbëri

Berisha thotë se konkursi për diplomatë duhet rishqyrtuar

Zëvendëministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se konkursi për diplomatë duhet rishqyrtuar apo anuluar.

Sipas tij, kjo duhet bërë për shkak të procedurave.

Në Express Intervistën në KTV, Berisha ka komentuar edhe konkurrimin e tre këshilltarëve të ministrit Behgjet Pacolli për shërbim diplomatik.

Ai ka thënë se s’duhet të ketë kufizime dhe se konkursi është i hapur për të gjithë, por ka shtuar se konkursi duhet të jetë më i rregulluar. Sipas tij, fokusimi në procedurat e brendshme po e dëmton edhe procesin e përzgjedhjes së diplomatëve.

“Për konkursin, mendoj që ai konkurs të rishqyrtohet. Nëse është nevoja edhe të anulohet, por të ketë më shumë kohë e të sqarohet sidomos me këta diplomatë që kanë studiuar jashtë, sepse s’ka arsye që studentë apo njerëz që kanë kryer shkollim jashtë të bien peng i procedurave të stërzgjatura të nostrifikimit, për çka ndoshta më së paku janë fajtorë. Ata që kanë kualifikime në universitete prestigjioze e që vërtetohet të jenë ashtu, duhet t’u jepet kohë për të kryer procesin. Njoh shumë të interesuar që kanë studiuar jashtë dhe jam në favor të tyre që MPJ nuk duhet të ndalet në procedura të brendshme sepse këta kanë kryer shkollë jashtë dhe ne kemi interes të kemi njerëzit më të mirë atje e jo t’i ngushtojmë me procedura të tilla apo të mos pengohen për shkak të procedurave”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se teksa akoma s’ka përfunduar procesi, nuk mund të flitet se ka ndikim politik në të.

“Deri sa s’është kryer kjo, mendoj personalisht se duhet rishqyrtuar. Për shkak të kritereve të cilat duhet të jenë në favor të kualitetit. Procedura është për shkak të kualitetit. Mua më intereson kualiteti si diplomat, dhe jo procedurat që pengojnë kualitetin. Çdo procedurë e tillë e çdo ndikim që dobëson kualitetin, neve na nevojiten me më kualitet”, ka përsëritur ai.

Ai ka fajësuar devijimin e dialogut për mungesë njohjesh për Kosovën. Sipas Berishës, procesi i dialogut ka sjellë komplikime që kanë penguar relacionet me shtetet e reja.

“Sa i përket njohjeve, Kosova kohëve të fundit ka kaluar në proces politik bukur të komplikuar e që ishte pengesë për proceset e njohjeve sepse dialogu i zhvilluar në Bruksel, kaloi nga procesi i normalizimit në tendencën e Serbisë për dialog për statusin e Kosovës. U bënë sërë komplikimesh që penguan relacionet me shtetet e reja”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, edhe diskutimi për kufijtë, por edhe pengesa që Serbia i bëri Kosovës në anëtarësim në organizata ndërkombëtare sollën komplikime në këtë proces.

“Dialogu në tërësi në Bruksel pati në pikënisje atëherë që të jetë dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen nga pesë shtetet evropiane. Ajo s’ndodhi e më e keqja se rrëshqiti në një dialog ku më shumë merreshin parasysh qëndrimet e pesëshes që s’e kanë njohur Kosovën se të 22 shteteve që kanë njohur Kosovën. Marrëveshjet që janë bë në Bruksel, një nga to ishte që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e më gjerë. Ajo bëri të kundërtën dhe pastaj dihet si rrodhën gjërat në kompilime të raporteve mes dy shteteve”, ka thënë ai teksa ka shtuar se Kosova duhet të jetë më e fokusuar në pesë shtetet e Evropës që akoma s’kanë njohur shtetin.

Ai ka mohuar se ka pasur tërheqje të njohjeve, por ka thënë se “ka diskutime të pakëndshme”.