Arbëri

Rama: Loja poker e PD-së – të fitosh shumë ose të humbësh gjithçka

Kryeministri Edi Rama po vijon konferencën për media, nga ku bëri një rezyme të krizës politike në vend, duke theksuar se PD luajti poker politik me pasoja për selinë blu, transmeton Shekulli.

Ai rrëfeu se përse u tërhoq nga oferta e parë për PD-në, për lëshimin e katër ministrave dhe zëvendësimin e tyre me 4 ministra teknikë.

“Mund të them se kam pasur një parandjenjë të fortë në kohën kur votohej reforma në drejtësi që pika lidhur me Vetingun do të na sillte probleme. Edhe pse surprizën e Vetingut e kam pritur, nuk e kam pritur bojkotin e Parlamentin. Kundërshtari, përkatësisht PD, bëri një lëvizje surprizë dhe mori përsipër një aksion shumë të rrezikshëm për vetveten, por jo pa asnjë shans për të pasur sukses. Dhe e dinë të gjithë që shansi real për të pasur sukses ishte destabilizimi i koalicionit për të mikluar Ilir Metën dhe për të çarë koalicionin. E kam ditur që në fillim që të gjithë lëvizjet politike ishin pjesë e filozofisë së LSI-së dhe pozicionimit të saj në skakierën politike dhe jo ashtu siç u komentuan”, tha Rama.

Rama kujtoi situatën kur nuk e kishte ndjerë veten më keq gjatë takimit me përfaqësuesit e PPE-së.

“Patëm një takim të mëpastajshëm të McAllister e Fleckenstein me PD-në dhe u organizua takimi i famshëm apo famëkeq i Pallatit të Kongreseve, famëkeq se nuk e kam ndjerë veten më keq, se dy përfaqësues politikë të partive më të madhe në Shqipëri, vijnë nga një ndërtesë, e shkojnë në dhoma të ndryshme, gjerman njëri e gjerman tjetri, ishte zgjedhje e Bashës që nuk pranonte të ulej në tavolinë pa pasur dorëheqjen time,” tregoi Rama.

“Presidenti i zgjedhur bëri çdo përpjekje duke shkuar përtej vizës që, sipas meje dhe nesh, nuk duhet të kapërcehej nga askush në koalcionin tonë dhe ato kulmuan me adresimin që bëri duke shfrytëzuar marrëdhënien personale me presidentin e PPE me një letër atij, duke i ftuar që të jenë ata që të bëjnë përpjekjen e fundit për të tërhequr PD në rrugën e arsyes”, shtoi kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, PD luajti një poker, ku mund të fitosh shumë ose të humbësh gjithçka, ndërkohë që sipas tij politika duhet të luhet si shah dhe jo si poker.

“Saliu është shahist i vjetër dhe duhet të kuptojë se ajo që ishte në tavolinë para një jave nuk është në tavolinë gjithmonë se ky është shahu. Nëse refuzon ta hash një gur kur duhet ta hash, mos kujto se e ke aty gati për ta ngrënë sa herë të duash ti dhe ti ndërkohë e ke mendjen te mbretëresha, jemi kundërshtarë këtu nuk i tregojmë PD si duhet të lëvizë”- tha Rama.