Arbëri

VV-ja mbështet LDK-në për t’ia “thyer këmbët” Qeverisë Haradinaj

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme paralajmëroi se bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Partinë Socialdemokrate, duke mos përjashtuar edhe deputetë të koalicionit qeverisës, do t’ia “thyejnë këmbët” qeverisë së Ramush Haradinajt.

Këtë thyerje këmbësh, Mustafa tha se do ta bëjnë përmes mbledhjes së nënshkrimeve duke përpiluar bashkërisht tekstin e mocionit dhe kështu do të kërkojnë që kjo qeveri të bie sa më shpejtë.

Ai tha se janë në biseda me Vetëvendosjen, ndërsa tha se edhe me me Partinë Socialdemokrate ka kontakte për këtë çështje, duke u shprehur se LDK-ja është në gjendje prej sot t’i japë nënshkrimet e të gjithë deputetëve në Kuvend.

“Duhet sa më shpejtë që t’ia thyejmë këmbët kësaj qeverisje sepse është e padobishme për Kosovën”, deklaroi Mustafa në një konferencë për shtyp pas përfundimit të Kuvendit të partisë së tij.

Ndërkaq, të kontaktuar nga Koha.net, në Vetëvendosje thonë se janë të gatshëm t’i hyjnë kësaj pune, duke thënë se tani e një kohë janë duke zhvilluar fushatën kundër, siç e quajnë koalicionin e tanishëm qeveritar, “PANhajnisë”.

Glauk Konjufca, shef i deputetëve të VV-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se përveç qeverisë, partia e tij ka vullnet që të japë nënshkrime edhe për shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi, të cilin e quajti “skandaloz”.

“Lëvizja Vetëvendosje tash e sa kohë është futur në një fushatë kundër PANhajnisë me qëllim rrëzimin e këtij koalicioni. Ne jemi të gatshëm andaj përsërisim edhe një herë vullnetin tonë për të dhënë nënshkrimet për rrëzimin, jo vetëm të qeverisë, por edhe për shkarkimin e presidentit, sepse mendojmë se me ta rrëzuar qeverinë, shumë shpejt hapet rruga që të shkojë edhe ky president skandaloz”, deklaroi Konjufca për Koha.net.

Ai potencoi se kjo qeveri duhet të bjerë sa më shpejt dhe tha se “për këtë jemi duke u angazhuar intensivisht”.

Ndërkaq, Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me shefin e Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, por ai s’ka qenë i qasshëm.

Mirëpo, në një prononcim të mëhershëm, kolegu i Sejdiut, Dardan Molliqaj, kishte thënë se partia e tij është e gatshme të japë nënshkrimet për rrëzimin Qeverisë Haradinaj.

Molliqaj, në një intervistë të muajit mars të këtij viti dhënë agjencisë “EO”, kishte ftuar LDK-në dhe VV-në që të nisin mocionin e mosbesimit, duke i garantuar ato se vota e PSD-së do të jetë pro rrëzimit të Qeverisë.

“Unë i sfidoj ata që ta nisin një mocion mosbesimi dhe të shohin se si do votojë PSD-ja. Unë iu them që PSD-ja do votojë për rrëzimin e Qeverisë”, pati thënë Molliqaj.

Koalicioni qeverisës, i përbërë nga PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, kohëve të fundit është përfshirë nga një skandal i madh pas publikimit të një fotografie nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, për të cilën ajo thoshte se është shkrepur në Kosovë dhe paraqiste një grua shqiptare duke u përdhunuar nga tre ushtarë serbë gjatë luftës, derisa këtë akt e shikonin familjarët e saj.

Fotografia, që tronditi opinionin në vend, doli të jetë e rreme dhe pjesë e një filmi pornografik i xhiruar, sipas mediave ndërkombëtare, diku në Hungari.

Brovina, ndonëse në fillim e mbrojti kategorikisht vërtetësinë e saj duke deklaruar madje se e di edhe vendin ku është shkrepur dhe i njeh edhe viktimat në atë foto, një ditë më pas, pasi u intervistua në Prokurori, e pranoi se fotografia ishte e rreme.