Arbëri

SPO: “Kosova mund ta ndezë luftën ndërmjet serbëve e shqiptarëve”

Foto: Koha

Kryesia e Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (Srpski pokret obnove - SPO) ka kumtuar sot se konflikti i ngrirë Kosovë-Serbi është në kundërshtim me interesat e Serbisë e të popullit serb dhe se në fakt ai është agoni e ngrirë dhe shkatërrim i Serbisë, transmeton Koha.net.

Ajo ka vlerësuar se konflikti i tillë e lë Serbinë në vullkanin që mund të shpërthejë në çdo moment.

“Konflikti i ngrirë është agoni e ngrirë dhe shkatërrim i Serbisë. Për këtë çështje me interes shtetëror e kombëtar duhet mundur emocionet. Nuk bën të na udhëheqin mosdija, inati, pasionet, qoftë edhe nëse ato i imponon shumica, por duhet që të gjitha vendimet të merren me mençuri dhe në përputhje me interesat afatgjata të Serbisë”, përcjell Beta kumtesën.

Në kumtesë theksohet se “moszgjidhje e problemit Kosovë-Serbi mund ta ndezë zjarrin e luftës, jo vetëm ndërmjet serbëve e shqiptarëve por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Nëse tani nuk arrijmë marrëveshje, e rëndojmë popullin e shtetin për shumë vite në të ardhmen, por edhe brezat që vijnë me rrezikun që zgjidhja e mëvonshme mund të jetë shumë më e pafavorshme për ne”, thotë kumtesa e cila shton se i përkrah përpjekjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që me ndihmën e BE-së të gjendet zgjidhja me Kosovën.

Kryetar i SPO-s është Vuk Drashkoviq, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë.