Arbëri

LVV-ja propozon hapat për adresimin e çështjes së gjenocidit serb

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë ka folur për çështjen e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë.

Sami Kurteshi tha se LVV ka shumë vite që ka bërë përpjekje të vazhdueshme për adresimin dhe ndërgjegjësimin e çështjes së krimeve të luftës, por sipas tij, LVV është penguar nga mazhoranca në Kuvend, në të gjitha legjislaturat.

Ai tha se nëse LVV do të ishte në qeveri, do të themelohej me ligj një institut për hulumtimin e krimeve të luftës që do të ketë mision të përcaktuar qartë, me financa adekuate dhe do të angazhojë njerëz kompetent për këtë institut.

“Instituti duhet të jetë i përhershëm. Duhet të krijohet komision parlamentar i përhershëm që do të merrej me krimet e luftës, do të ishte hallkë lidhëse mes qeverise dhe institutit. Do të krijohet një dhomë e veçantë e përhershme në prokurori për krimet e gjenocidit, me numër të mjaftueshëm të prokurorëve, dhomë e veçantë gjyqësore brenda gjyqësorit në Kosovë. Brenda Policisë së Kosovës duhet të jetë një njësit për krimet e luftës që do të merrej me ndjekjen e atyre që kanë kryer krime të luftës dhe sjellje e tyre para drejtësisë. LVV do të bëjë një legjislacion të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave", tha ai.

Po ashtu foli edhe për prokurorët dhe gjyqtarët që do të duhej të trajnoheshin në lidhje me gjenocidin serb.

"Duhet krijuar një degë e veçantë brenda UP për edukimin dhe specializimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të merren me gjenocidin", shtoi ai.

Si e mendon LVV adresimin vendor të krimeve të luftës:

Themelimi me ligj i institutit për hulumtimin e krimeve të luftës me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë. Instituti duhet të jetë i përhershëm dhe në Ministrinë e Drejtësisë;

Miratimi i propozimit të Lëvizjes për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës;

Krijimi i komisionit parlamentar të përhershëm për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, për gjenocid dhe për dëmet e tjera të shkaktuara;

Krijimi i një prokurorie të specializuar për krimet e luftës me një numër të mjaftueshëm prokurorësh të mirëtrajnuar. Po ashtu, krijimi i një dhome të veçantë gjykimi brenda sistemit gjyqësor të Kosovës me gjykatës të specializuar;

Krijimi i departamentit në Policinë e Kosovës specializuar për krimet e luftës, për ndjekjen dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë;

Krijimi i një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjensisë së Kosovës për Forensikë;

Miratimi i një legjislacioni të vecantë për mbajtjen dhe ruajtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve;

Krijimi i një dege të veçantë brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto çështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit.