Arbëri

Saraçi: Akuzat e Brovinës do t’i adresoj në organet e drejtësisë – kurrë s’e kam parë atë fotografi

Descriptive Text

Përfaqësuesja e Grupit të Shoqërisë Civile, Mevlyde Mezini-Saraçi, ka mohuar deklaratat e deputetes së PDK-së Flora Brovina, e cila deklaroi se “fotografinë e përdhunimit” të cilën e bëri publike dje në Kuvendin e Kosovës, e kishte marrë nga Mezini-Saraçi.

Ajo tha se një fotografi të tillë nuk e ka parë asnjëherë derisa ka njoftuar se akuzat nga deputetja Brovina do t’i adresojë në organet e drejtësisë.

“Në asnjë moment nuk e kam parë atë fotografi dhe nuk e njoh atë fotografi, e kam parë për herë të parë mbrëmë në lajme. Unë kam qenë deputete e Kuvendit, kemi grumbulluar dëshmi për gjenocidin, por asnjëherë nuk kam pasur qasje në atë fotografi”, deklaroi Mezini-Saraçi në “Express Intervistën” në KTV.

Ajo ka thënë se është ftuar nga Policia të hënën për të dëshmuar për fotografinë e publikuar nga Brovina.

“Nëse Flora nuk e ka parë të rrugës të më pyes mua për fotografinë, unë do të takohem me të përmes drejtësisë. Unë jam e detyruar të hënën të shkoj në Polici e të dëshmoj dhe të përgatitem për hetime për diçka që nuk e kam bërë. Unë kam përjetuar me shumë shqetësim këtë deklaratë, por edhe familja ime. Gjatë kohës sa kam ardhur nga Gjakova me autobus, kam shqetësuar edhe udhëtarët dhe të gjithë më kanë shikuar si fajtore”, tha ajo.

Mevylde Mezini-Saraçi mohon t’i ketë dhënë ndonjëherë zarfe me prova deputetes Brovina pasi thotë se puna e saj ka qenë gjithmonë publike.

Pasi u pyet nëse inkriminimi i saj në këtë rast mund të jetë i motivuar politikisht, ajo tha se nuk beson pasi që “nuk jam në politikë që nga viti 2004”.

“Kjo nuk është goditje politike por individuale vetëm për të shpëtuar veten”, theksoi Përfaqësuesja e Grupit të Shoqërisë Civile, Mevlyde Mezini-Saraçi.