Arbëri

Haradinaj nga Jabllanica: Në Kosovë nuk do të ketë “Dodik Republikë”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga shumë familjarë, deputetë e pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë homazhe në kompleksin memorial të Shqiponjës, ish-Jabllanicës me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të saj.

Duke e konsideruar si një mit dhe simbol që nuk lejoi të kalojë armikun, nga Shqiponja Haradinaj tha se Kosova është e sigurt pasi si të tillë e ka njohur edhe e drejta e botës.

Ai nga ish Jabllanica çoi porosi edhe njëherë që kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe brenda Kosovës nuk mund të vendoset një ‘Dodik Republikë’.

"Kosova ka territor unik dhe kufijtë janë të paprekshëm në këta kufij. Po ashtu Kosova është e rregulluar me Kushtetutën e vet dhe nuk mundet brenda Kosovës me u vendos një monstrum ‘një Dodik’. E di që kemi mendime të ndryshme dhe prej asaj që them unë dhe çdo kujt tjetër është çështje tjetër por disa fjalë kur i themi nëse dikush mendon me vendos ‘Dodik Republikë’ paska vendos me prish Ballkanin", tha ai.

Haradinaj foli për shkëmbimin e kufijve, ku tha se është gabim të mendohet kjo ide dhe duhet të mbyllet. Ndërkaq, kryeministri nuk ka dashur t’u përgjigjet kritikave të Thaçit.

“Nuk kam koment”, ka thënë shkurt ai.

I pyetur për aludimet e presidentit të vendit, Hashim Thaçit, lidhur me Milan Radojçiqin, Haradinaj ka thënë se nuk ka asnjë koment.

Më tutje, ai nuk ka mohuar se a ka qenë në shtëpinë e tij duke thënë se vendime merr edhe prej këtu ku është.

Ai ka thënë se është mirë që çështja për ndryshim kufijsh është mbyllur dhe se askujt nuk do t’i jepet tokë.

Në këtë manifestim ishte edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili dha lajmin se shpejt do nis investimi në këtë kompleks memorial vlera e të cilit është mbi 300 mijë euro.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se Jabllanica e atëhershme dhe Shqiponja e tanishme është embrion i luftës së UÇK-së.

Sipas tij organizata e veteranëve të luftës punon që të kujtohet gjithmonë e kaluara e lavdishme.

Në Jabllanicë kanë rënë 38 dëshmorë dhe 4 martirë në pranverën e vitit 1999.