Arbëri

Rushiti: Viktimat e dhunës seksuale u ridhunuan me publikimin e Brovinës

Descriptive Text

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se viktimat e dhunës seksuale në Kosovë janë ridhunuar, pas publikimit të disa fotografive nga nga deputetja Flora Brovina, në të cilat pretendonte se ishte një grua duke u dhunuar nga forcat serbe.

Në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se publikimi i fotografive të tilla ka rrënuar gjitha përpjekjet e solidarizimin e arritur me këto viktima deri tash. Sipas Rushitit, publikimi i fotografive me pretendime të tilla ka kthyer viktimat e dhunës seksuale në vitin 1999.

“Është e dhimbshme. Nuk e di kujt dhe për çfarë është dashur të vihet në Kuvend ajo foto. Të gjithë e dimë çka kanë përjetuar njerëzit në luftë. Kur ne mbërrijmë në piedestal, me rastin e Vasfije Krasniqi-Goodman deri në Kongresin amerikan, me çmimin nga Koreja, me tjerat vizita që planifikohen për të ndarë të vërtetën e Kosovës, çfarë ka dashur zonja Brovina me një foto të tillë të ngjallë në shoqërinë e Kosovës. Të gjitha ngjarjet i kemi përjetuar dhe akoma po ballafaqohemi me ato pasoja”, ka thënë fillimisht.

Rushiti ka treguar reagimin e viktimave të dhunës seksuale dhe familjarëve të tyre me rastin e publikimit të këtyre fotografive. Ka thënë se janë hapur të gjitha plagët e viktimave.

“Nisi të shpërndahej, reaguan aq keq. I ridhunoi. I ktheu në situatën e vitit 1999. Viktimat, familjarët, bashkëshortët thirrën në telefon. Kishin edhe mesazhe kërcënuese, ‘çfarë bën ajo grua apo reagoni apo po shkojmë në Parlament’. U ndien aq keq dhe ne i pranuam ato thirrje. Madje edhe vet zërat e viktimave. Kemi bë apel edhe te mediat dhe institucionet e kemi arritur progres të paktën në këtë fushë, që të paktën të largohen ato fotografi sepse ngjallën emocione. I kanë hapur plagët edhe për ato që ishin në një formë të rikuperuara”, ka shtuar Rushiti. “Gratë që ishin prezent në zyrë reaguan po ashtu. Kur filloi të shpërndahej fotografia e diskutimet, u ndien aq keq. ‘Çka na gjeti neve’. Deri sa ne po luftojmë t’i fuqizojmë të dalin publikisht, ndodhi ajo skenë që po habitem edhe vet. Nuk e di ku ishte mesazhi që donte të arrihej”.

Rushiti ka thënë se Brovina në të kaluarën u kishte thënë se ka dokumentacione, por ka shtuar se një publikim i tillë ishte tronditës dhe befasues për të gjithë. Ajo ka thënë se deputetja Brovina është dashur që t’i dërgonte fotografitë te Komisioni Qeveritar për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale ose në institucionet e drejtësisë.

Ajo ka treguar edhe bisedën që ka pasur me Vasfije Krasniqi-Goodman, gruan që e para foli publikisht për dhunimin në luftë.

“Kur po vija këtu kam marrë vazhdimisht mesazhe, thirrje, telefonata prej të mbijetuarave, aktivistëve. Deri sa erdha këtu bisedova me Vasfijen për mënyrën si po ndihet. Më tha jam e shokuar e kurrë në jetë s’jam ndier më keq, veç kur më ka ndodhur ngjarja dhe tash. Sepse me storien e vet krijoi momentum të ri shoqëror që viktimat të pranohen, të inkurajohen e krejt ky zhvillim pozitiv, ky solidarizim, fatkeqësisht me atë fotografi, u rrënua”, ka deklaruar Rushiti.

Rushiti ka thënë se reagimi i sotëm për të larguar fotografitë kishte ardhur nga familjarët e të gjitha viktimave të dhunës seksuale dhe jo nga familja e viktimës që pretendohej sipas fotografive të publikuara nga Brovina.

Për raportimet se fotografitë e Brovinës ishin nga një film pornografik në Irak, Rushiti ka thënë se s’ka çfarë të komentojë.

“S’di ç’të them. Është tejet shumë e dhimbshme. Jo për mua, po për ato gra. Kjo që ka ndodh sot i ka ridhunuar psikikisht. I ka kthyer më 1999. E dëgjova atë që tha deputetja, i mbetet prokurorisë të japë të vërtetën. Kuvendi është vendi i fundit ku duhet të bëhen këto publike”, ka thënë ajo.

Rushiti ka thënë më tej se s’ka pasur lajm më tronditës në Kosovën e pasluftës teksa ka kërkuar që sa më shpejt institucionet të zbardhin të vërtetën.