Arbëri

“Blic” i Beogradit: Afër Preshevës u konfiskuan shumë armë për shqiptarët në Maqedoni

Agjencia e Sigurisë Ushtarake e Serbisë (Vojnobezbednosna agencija Srbije - VBA) javën e kaluar ka konfiskuar një sasi të armësh në Luginën e Preshevës të cilat duhej që ilegalisht të transportoheshin në Mitrovicë, shkruan sot “blic” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Sipas kësaj gazete, bëhet fjalë për disa mijëra pushkë, mitraloza, minahedhës, bomba dore, që i zbuluan pjesëtarët e këtij shërbimi afër Preshevës e Bujanocit kur një shtetas i huaj dhe dy shtetas të Serbisë me përkatësi kombëtare shqiptare po përgatiteshin që, përmes kanaleve ilegale, t’i dërgonin në Maqedoni.

Burimi i kësaj gazete ka thënë se supozohet se adresa e fundit për dërgim të këtij arsenali është dashur të jetë infrastruktura partiake e njërës nga partitë më të mëdha shqiptare në mesin e të cilës ka funksionarë të shquar që kanë marrë pjesë në konfliktet e armatosura në Maqedoni e Kosovë.

Blic thotë se bëhet fjalë për aksionin e konfiskimit që është bërë me fshehtësinë më të madhe për të cilin është njoftuar kreu shtetëror i Serbisë, ndërsa në përpjekjet e gazetës për t’u verifikuar ky lajm te kreu i ushtrisë, burimi thotë të ketë hasur në mur të heshtjes.

Shërbimet sekrete serbe, por edhe krerët politikë të Serbisë po bëjnë përpjekje që në zhvillimet politike në Maqedoni t’i implikojnë shqiptarët nga të gjitha trojet e tyre me pretekstin se Prishtina, Presheva e Tirana po duan ta krijojnë Shqipërinë e madhe.