Arbëri

Tahiri thotë se s’do të tolerohen keqpërdoruesit dhe shkelësit e ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, mori pjesë në takimin përmbyllës të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i Formulimit te Politikave dhe Hartimit të Legjislacionit’’, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë (ZBE) dhe i realizuar nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Sipas tij sundimi i ligjit është alternativa e vetme e cila garanton perspektivë të qartë evropiane për Republikën e Kosovës.

“Në këtë drejtim jam angazhuar dhe angazhohem për luftë të pakompromis të dukurive negative të cilat e rrënojnë këtë të ardhme për qytetarët tanë. Viti 2018 për Ministrinë e Drejtësisë dhe për mua si Ministër ka qenë i ngarkuar me agjendën legjislative në të cilën i kam adresuar të gjeturat e Raportit për Vendin në tri vitet e fundit, përfshirë Pakon e Ligjeve të Gjyqësorit, Pakon e Ligjeve që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit siç ka qenë ligji për konfiskim, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, pakoja e ligjeve që lidhet me të drejtat pronësore dhe ligje të tjera ku kemi marrë një mbështetje të rëndësishme nga këta ekspert të cilët kanë punuar në këtë drejtim dhe në harmonizimin e këtij legjislacioni me atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Tahiri thotë se s’do të tolerohen keqpërdoruesit dhe shkelësit e ligjit.

“Këto ndryshime normative janë përgjigja më e mirë që institucionet tona i kanë dhënë keqpërdoruesve, shkelësve të ligjit, duke iu dhënë mesazh të qartë se vendi ynë nuk do të tolerojë veprime të tilla, se pasuria e përfituar në mënyrë të jashtëligjshme do të konfiskohet pa përjashtim”, ka thënë Tahiri.

Megjithatë, ai shton se sundimi i ligjit akoma vazhdon të mbetet sfidë, dhe kjo sfidë mund të adresohet përmes zbatimit efikas të këtyre ligjeve, të cilat jam përkujdesur që të jenë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian.

“Qëllimi i Republikës së Kosovës është që në të ardhmen të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane dhe për këtë angazhohemi çdo ditë që në kuadër të sektorit të sundimit të ligjit, ky legjislacion të jetë në koordinim të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Andaj puna e bërë për dy vite e gjysmë nga projekti “Fuqizimi i formulimit të politikave dhe hartimit të legjislacionit” në fushën e planifikimit strategjik, hartimit të legjislacionit, përafrimit ligjor dhe monitorimin e zbatimit të ligjeve, marrëdhënieve me publikun, si dhe në procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, është jetike për modernizimin e drejtësisë në Kosovë”, ka thënë ai.