Arbëri

Kurti: Ukshin Hoti është, Qeveria mungon

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në 20-vjetorin e rrëmbimit të veprimtarit e intelektualit kosovar, Ukshin Hoti ka thënë se ai është, por Qeveria e Kosovës mungon.

Kurti thotë se Ukshin Hoti edhe pse tri herë i burgosur politik, nuk është ndalur asnjëherë dhe se jetoi për ne.

“Ndërrimi i qeverisë në Kosovë e shtoi sasinë e qeveritarëve por jo edhe cilësinë e qeverisjes. Kurrë shteti ynë nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Sepse kurrë zyrat e larta të shtetit nuk kanë pasur më shumë bashibozukë mujsharë dhe lakmiqarë tërpijanë që e kanë bërë shtetin feud e Kosovën plaçkë. Ukshin Hoti e ka dashur shtetin si republikë, popullin si kryengritje, lirinë si zhvillim dhe demokracinë si mënyrë. Nuk i mori asgjë vendit tonë, i dha krejt çka pati, bëri krejt çfarë mundi. Ai thoshte çka mendonte dhe bënte çka thoshte. Tri herë i burgosur politik. Nuk ndalej. Ai jetoj për neve. Tre librat do t’i jetojnë edhe pas neve”, ka shkruar Kurti.

Kurti, tutje shkruan se “Te “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, “Lufta e ftohtë dhe detanti” si dhe “Bisedë përmes hekurash" ku kemi përgjigjet e Ukshin Hotit në 13 pyetjet e Ismail Kadaresë, e gjejmë orientimin e duhur për të ardhmen dhe shpjegimin e nevojshëm për veten tonë”.

“Librat e Bacës Ukë janë. Leximi i tyre nga pushtetarët mungon. Ukshin Hoti është, qeveria mungon”, ka përfunduar Kurti.