Arbëri

Tahiri me lëvdata për Marrëveshjen e Brukselit për drejtësi

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka marrë pjesë sot në dëgjimin publik në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit për drejtësi dhe proceset e zbatimit, së bashku me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, njofton kumtesa nga ZKP, transmeton Koha.net .

Marrëveshja e Brukselit për Drejtësinë është një nga marrëveshjet më të rëndësishme të arritura në dialogun e Brukselit pasi që parasheh konsolidimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës në fushën e drejtësisë në pjesën veriore të vendit. Marrëveshja për drejtësinë parasheh vendosjen e një sistemi unitar të drejtësisë në pjesën veriore të vendit, si dhe shuarjen e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë. Gjithashtu, ajo mundëson që gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët më herët kanë punuar në këto struktura paralele të integrohen dhe të funksionojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës, ka thënë Tahiri me këtë rast.

Në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për Drejtësinë, institucionet e Kosovës kanë përfunduar përgatitjet institucionale për konsolidimin e Gjykatës Themelore në rajonin e Mitrovicës dhe Zyres së Prokurorisë Themelore në rajonin e Mitrovicës. Në përputhje me ligjin e Kosovës, ato do të mbulojnë shtatë (7) komuna: Vushtrrinë, Skenderajn, Mitrovicën Jugore, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, siç parashikohet me ligj. Përveç kësaj, është realizuar edhe procesi i zbatimit në lidhje me divizionin e apelit, siç është paraparë në marrëveshje, ka thënë ndër të tjera Tahiri.