Arbëri

Avokati i Popullit hap rastin e zgjedhjes së drejtorit të RTK-së

Valon Ramadani - RTK

Sindikata e Pavarur e RTK-së në përbërje të kryetarit Fadil Hoxha, nënkryetares Albana Murseli dhe anëtarit të kryesisë Veton Rugova, është takuar sot me Avokatin e Popullit Hilmi Jashari.

Në këtë takim përfaqësuesit e Sindikatës kërkuan të informohen nga Jashari për hapat që ka ndërmarrë ky institucion rreth vendimit të Bordit për zgjedhjen e drejtorit gjeneral të RTK-së pa i siguruar 2/3 e votave ashtu siç parashihet me ligjin e RTK-së.

SPRTK i kërkoi edhe njëherë Avokatit të Popullit që t'i dalin në mbrojtje Transmetuesit të vetëm Publik në vend, dhe ta thonë fjalën e tyre për këtë veprim të kundërligjshëm të Bordit të RTK-së.

“Ekzistojnë fakte të mjaftueshme që Institucioni i Avokatit të Popullit të fillojë konfliktin administrativ në gjykatën përkatëse”, thuhet në njoftimin e dërguar.

Gjithashtu përfaqësuesit Sindikal e informuan Jashari për mosgatishmërinë e Bordit të RTK-së për t'i lejuar Sindikatës qasje në dokumentet publike, konkretisht për të pasur në dispozicion një kopje të vendimit te Bordit për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së.

“Me këtë veprim Bordi i RTK-së po e pengon qëllimshëm realizimin e së drejtës për qasje në dokumentet publike”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i njoftoi përfaqësuesit sindikal se Institucioni që ai drejton e ka hapur si rast këtë çështje dhe do ta trajtojë konfrom obligimeve ligjore.