Arbëri

DnV do të vëzhgojë procesin zgjedhor në veri me mbi 100 vëzhgues

116 vëzhgues nga koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, do të përfshihen në vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që do të mbahen më 19 maj.

Vëzhguesit nga DnV do të përfshihen në vëzhgimin e periudhës para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Ata do të bëjnë vëzhgimin e të gjitha aktiviteteve të fushatës parazgjedhore, e cila do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Kurse, në ditën e zgjedhjeve, DnV do të ketë vëzhgues në secilin prej 87 vendvotimet në katër komunat e veriut të Kosovës. Po ashtu, DnV do të angazhojë edhe ekipe mobile, të cilat do të përcjellin në përgjithësi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Lidhur me planin operacional të vëzhgimit, Srdjan Milojeviq nga Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), bëri të ditur se gjithsej 116 vëzhgues do të përfshihen në vëzhgimin e periudhës para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.

“Do të jenë të angazhuar 116 vëzhgues, të cilët janë të përfshirë në 87 vendvotime të cilat i kemi duke përfshirë edhe ekipet mobile që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve dhe në qendrën e thirrjeve telefonike e cila do të jetë në ATRC Mitrovicë. Do të kemi monitorimin e fushatës zgjedhore e cila do të fillojë nesër në Mitrovicën e Veriut dhe gjatë kësaj periudhe deri para ditës së zgjedhjeve do të mbahen dy konferenca për shtyp, të cilat do të mbahen në Mitrovicën e Veriut në zyrat e ATRC-së, ku do të jenë të angazhuar monitoruesit tanë afatgjatë për monitorimin e fushatës zgjedhore nga nesër. Demokracia në Veprim do të zhvillojë raportet të cilat do të përfshijnë të gjitha të gjeturat nga fushata dhe nga dita e zgjedhjeve. Gjithashtu, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë garën fer dhe korrekte, si dhe qytetarëve të përfshihen në procesin e fushatës zgjedhor e që të jenë të informuar”, tha ai.

Ndërkaq, Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka riafirmuar përkushtimin e DnV-së për të siguruar integritetin e zgjedhjeve, për të promovuar fushatë të qetë zgjedhore dhe për ta informuar publikun në mënyrë të drejtë për ecurinë e procesit.

“Demokracia në Veprim është e angazhuar në mobilizimin e vëzhgimit të procesit zgjedhor në komunat e Veriut përmes partnerit të saj që është Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike në veriun e Mitrovicës. Kryesisht në këtë proces jemi të angazhuar, ose misioni ynë është i angazhuar të ruaj integritetin e procesit zgjedhor, të rrit transparencën dhe të informojë publikun në mënyrë objektive rreth këtij procesi, në mënyrë që të garantohet përfshirje e gjithë akterëve që janë në proces”, tha ai.

I pyetur se cila është atmosfera në veri të vendit një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, Kryeziu tha se nuk ka ndonjë indikacion që mund të ketë parregullsi apo presion në proces.

Kryeziu: Nuk kemi ndonjë indikacion që mund të ketë parregullsi

Video

“Në zgjedhjet e kaluara e dini që ka pasur zgjedhje jo vetëm për kryetar por edhe për kandidat për asamble komunale dhe ndoshta kjo e ka bërë atë garën më agresive. Mendoj që tani nuk kemi ndonjë indikacion që mund të ketë parregullsi ose presion në proces, tani është gara shumë më e qartë sepse është vetëm për kandidat për kryetar të komunave dhe nuk janë përfshirë në garë kandidatët për asamble komunale”, tha Kryeziu.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, DnV do të përgatisë edhe një raport të detajuar vlerësues të zgjedhjeve, bazuar në të dhënat e vëzhguesve, në linjë me kornizën ligjore të Kosovës dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve.

Kryeziu ka bërë të ditur se janë rreth 58 mijë e 500 qytetarëve me të drejtë vote, 352 të rinj ose 1 mijë e 507 votues më shumë nga viti paraprak. Ai tha se janë 12 kandidatë në katër komuna, në secilën komunë nga tre kandidat dhe se ka pasur kërkesa për regjistrim prej Serbisë nga 1 mijë e 506 qytetarë që kanë kërkuar të votojnë me postë.

Sipas tij, janë 793 aplikacione të pranuara nga KQZ-ja dhe të cilët kanë të drejtë përmes postës të votojnë.

Kujtojmë se këto katër komuna kanë shkuar në zgjedhje pasi kryetarët kanë dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës ndaj mallrave që importohen nga Serbia.