Arbëri

Thaçi takon Ramën, përmend bashkimin e Luginës me Kosovën

Kreu i shtetit Hashim Thaçi vazhdon ta mbajë gjallë idenë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ani pse shumë kush po e quan të vdekur idenë e ndryshimit të kufijve, pas Samitit të Berlinit.

E ka përmendur këtë ide në një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Image

“Sapo zhvillova një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku mes tjerash biseduam për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike”, ka thënë Thaçi, përcjell Koha.net. “Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar më tej ai.

Ndërkohë, kur është fjala te Edi Rama, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë mbrëmë në Rubikon të KTV-së se ka qenë ai që e barti idenë për ndryshimin e kufijve nga Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuciq në Kosovë te presidenti Hashim Thaçi.

Sipas Edita Tahirit, e cila thotë se ka informacione të sigurta nga darka që e kishte Rama në Beograd, kryeministri shqiptar nuk e kundërshtoi as Vuçiqin e as Daçiqin kur folën për çështjen e kufijve.

“Unë tashmë kisha marrë informatat që në Beograd kur ishte Rama më një delegacion, ia kishin hapur temën e ndryshimit të kufijve, nuk e di çka ka biseduar në pjesën zyrtare, se personat që më treguan nuk kishin qenë aty”, ka thënë Tahiri në Rubikon të KTV-së.

“Ekipi që ka marrë pjesë në darkë, të dy, edhe Daçiq, edhe Vuçiq, kanë hapur këtë temë, Rama nuk ka qenë në gjendje me ua mbyll këtë temë dhe me u thënë se ku po shkoni”, tha Tahiri.