Arbëri

MF premton përkrahje për artarë e argjendarë

Ministri i Financave Avdullah Hoti në vazhdën e diskutimeve me komunitetin e biznesit për pakon fiskale 2.0 sot është takuar me Shoqatën e Artarëve dhe Argjendarëve të Kosovës, në një diskutim publik të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Në këtë takim gjithashtu morën pjesë edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Bahri Berisha, zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Nahit Sharku, kryetari i Shoqatës së Artarëve dhe Argjendarëve të Kosovës Enver Pakashtica si dhe anëtarë tjerë të Shoqatës së Artarëve dhe Argjendarëve të Kosovës.

Ministri i Financave Avdullah Hoti duke prezantuar masat e Pakos fiskale 2.0, të cilat janë aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar, tha: Siç jeni të informuar ne tani jemi në fazën e konsultimeve me të gjithë akterët për politikat e reja fiskale. Andaj, qëllimi i këtij takimi është që ne të prezantojmë para juve masat e Pakos Fiskale 2.0 të cilat janë aprovuar në parim nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetorin e vitit që shkoi, masat tjera që i janë shtuar kësaj liste pas konsultimeve me komunitetin e biznesit, si dhe të marrim nga ju sugjerimet shtesë për këtë pako.

Ndërsa, përfaqësuesit e Shoqatës së Artarëve dhe Argjendarëve të Kosovës vlerësuan lart këtë praktikë të Qeverisë së Kosovës që para finalizimit të politikave të reja fiskale të diskutojë me komunitetin e biznesit dhe gjithë akterët tjerë në këtë proces, me qëllim të krijimit të një klime sa më të mirë të të bërit biznes në Kosovë.

Në kuadër të diskutimeve dhe propozimeve të tyre, ata kërkuan ndryshimin/plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Skemën e Veçantë për Arin e Investueshëm, përkatësisht korrigjimin e Nenit 2 dhe të Nenit 3 pika 1.8 të këtij Udhëzimi, si dhe trajtimin e kërkesave tjera të tyre përmes këtij Udhëzimi.

Me këtë rast Avdullah Hoti gjithashtu shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave që të diskutojë mundësinë e plotësim/ndryshimit të Udhëzimit Administrativ për Skemën e Veçantë për Arin e Investueshëm.