Arbëri

Largohen drejtues të lartë në Policinë e Shqipërisë

Lëvizjet në radhët e Policisë së Shtetit kanë vijuar edhe pas shkarkimit të 29 drejtuesve të lartë, javën e kaluar.

Top Channel ka arritur të zbardhë disa prej këtyre lëvizjeve dhe emërimeve të reja ku bie në sy shkarkimi i drejtorit të Parandalimit të Krimit, Skënder Kalemi, i cili është një prej zyrtarëve që ka marrë pjesë, së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, në hartimin e strategjisë kombëtare kundër kultivimit të kanabisit.

Në vend të tij është emëruar Albert Dervishaj, i cili më parë mbante postin e shefit të rendit publik. Ky i fundit është zëvendësuar nga Gëzim Zhupaj, ish drejtor i kufirit në Vlorë, ndërkohë që drejtor i Policisë Rrugore është komanduar Skënder Ismaili, pas largimit të Ardi Veliut, i cili mori drejtimin e policisë së Tiranës.

Në krye të repartit special Delta Force është emëruar Artur Selimi, i cili zë vendin e Albert Nushit, që mori drejtimin e policisë së Fierit.

Lëvizjet e fundit kanë shkaktuar pakënaqësi në radhët e uniformave blu.

Ish drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj mësohet se ka refuzuar të drejtojë sektorin e sekretarisë dhe protokollit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Edhe disa ish-drejtorë të tjerë, që iu janë propozuar emërime në sektorë “parazitarë”, mësohet se i kanë shprehur pakënaqësitë për këto lëvizje kryepolicit, Haki Çako, i cili ka firmosur lëvizjet e tyre.