Arbëri

Hoxhaj sulmon Berishën pas deklaratave se “Thaçi është argat i Serbisë”

Foto: Koha

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dalë në ndihmë ish shefit të partisë, tash president i Kosovës, Hashim Thaçi, duke reaguar ndaj Sali Berishës, një ditë pasi ai i tha hapur Thaçit se është argat i Serbisë.

Për Hoxhajn, ish-kryeministri e ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka marrë rolin ndarës të tradhtarëve dhe heronjve shqiptarë, teksa e ka quajtur këtë mendësi totalitare.

“Çdo herë kam pasur konsideratë të lartë për Sali Berishën, si një politikan me të cilin kam bashkëpunuar në pozita të ndryshme që kam mbajtur në Qeverinë e Kosovës. E kam parë si njeri të parimeve, të së vërtetës dhe të virtytit. Mjerisht, pikëpamjet e tij të kohëve të fundit me frymë përçarëse dhe me ngjyra të errëta për t’i bërë akuzat e tij të padrejta dhe sinqeritetin selektiv të duken të vërteta, janë koncentrat i hipokrizisë dhe po e rrënojnë kontributin e tij dhënë në të kaluarën për Kosovën”, ka thënë Hoxhaj.

Për Hoxhajn, Berisha, “fatkeqësisht, debatin e politikës ditore në Shqipëri po përpiqet ta bartë edhe në Kosovë, duke shprehur një mendësi totalitare për ndarjen se kush është tradhtar dhe hero”.

“Përmbyllja e shtet-ndërtimit të Kosovës me njohje të ndërsjellët Kosovë – Serbi dhe me ulëse për Kosovën në OKB është konsolidim i jashtëm edhe i Shqipërisë dhe një faktor i fuqizimit të shqiptarëve në rajon. Për tema të tilla Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për një dialog ndërshqiptar”, ka thënë Hoxhaj, i cili nuk ka dashur të përmend saktë se për çfarë e ka fjalën.

Por ky reagim vjen pas deklaratave që Berisha i bëri në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv një natë më parë.

Në studion e RTV Ora, Berisha tha se Thaçi është peng i dosjes së tij në Serbi dhe sipas tij ai nuk duhet të jetë pjesë e asnjë negociate pa shkuar në Gjykatën e Hagës.

Megjithatë Berisha tha se në dijeninë e tij, Thaçi nuk ka kryer krime lufte. Ai kësisoj u përgjigj në pyetjen direkte se “A është sipas tij Hashim Thaçi tradhtar dhe nëse po kur u bë i tillë”.

“Hashim Thaçi është peng i dosjes së tij të Beogradit. Thaçit po t’i ketë mbetur pak karakter nuk merret kurrë me çështjen e negociatave me Kosovën pa shkuar në Hagë, pa u pastruar. Nuk di të ketë kryer asnjë krim. Gjykata u ngrit vetëm për akuzat që bëri raporti i Dick Marty. Argati mbrapa donte ta anulonte. I thotë vetes ai që është argat. A nuk u tha shqiptarëve një vit rresht se ky është plani im dhe nuk është i Serbisë së Madhe dhe tallet Daçiç me të. A nuk i tha në prani të gjithë botës Vuçiç: Mbylle mos fol! Hapi sytë dhe mbeti i shastisur. Ne si shqiptarë duhet të ndihemi të turpëruar, tre vetë ishin atje (në Samitin e Berlinit), dy me Vuçiq”.

Përplasja e Thaçit me Berishën ka kohë që ka nisur në distancë, por të dy kanë refuzuar që të përmendin emra. Thaçi e kishte akuzuar se ka thyer embargon ndaj Jugosllavisë, duke i dhënë naftë, por në Rubikon të KTV-së kishte thënë se është rren e shpifje se e ka pasur fjalën për Berishën, duke refuzuar që të përgjigjej se për kë tjetër kishte adresuar ato fjalë.