Arbëri

Vendoset të shtohen patrulla policore nëpër shkolla pas dhunës së shfaqur

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Shtimi i patrullave policore nëpër shkolla është konkludimi që ka dalë nga një takim i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, me ministrin e Brendshëm Ekrem Mustafa, drejtorin e operacioneve në Policinë e Kosovës Afrim Ahmeti, dhe me zëvendëskryetarin e Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit Blerim Thaçi, pas dhunës së shfaqur së fundmi nëpër shkolla.

Takimi thuhet se ka ardhur në kuadër të angazhimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për shtimin e sigurisë në shkolla.

Sipas një njoftimi nga MASHT-i, pas diskutimeve rreth marrjes së përgjegjësive nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit dhe sigurisë, të pranishmit në takim kanë ardhur në përfundim që, zgjidhje afatshkurtër deri në përfundim të vitit shkollor, të jetë shtimi patrullave policore në shkolla dhe hartimi i planit për kontroll rutinore të nxënësve nga drejtorët e shkollave, për të cilin plan policia duhet të njoftohet përmes DKA-ve.

Image

Po ashtu thuhet se ka pasur pajtim që pas përfundimit të vitit shkollor të bëhet krijimi i Task Forcës për parandalimin e përdorimit të narkotikëve dhe shtimin e sigurisë në shkolla.

“Në këtë takim, ministri Bytyqi po ashtu ka ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të kërkojnë nga drejtorët e shkollave të mbajnë mbledhje urgjente me prindër, për të diskutuar sigurinë në shkolla dhe planet për ta përmirësuar atë”, përfundon njoftimi.

Javën e shkuar një grua kishte therur me thikë një mësuese brenda një shkolle në kryeqytet. Po ashtu edhe tre nxënës të një shkolle tjetër në Prishtinë ishin therur brenda klasës.