Arbëri

Oda e Infermierëve, lidere e odave të profesionistëve shëndetësorë

Descriptive Text

Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) po bëhet lidere në mesin e Odave të profesionistëve shëndetësorë dhe me këtë edhe në marrjen e kompetencave të reja nga Ministria e Shëndetësisë.

Kështu tha ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani në Kuvendin e VIII-të të anëtarëve të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve (OIK) të tjerë shëndetësor të Kosovës.

Duke përgëzuar këtë odë për zhvillimin e suksesshëm të saj, Rrahmani i dorëzoi kryetarit të OIK-së, Naser Rrustemaj edhe vendimin për bartjen e plotë të përgjegjësive për rilicencimin e infermierëve në Kosovë, që tash e tutje do të bëhet nga kjo odë, derisa kompetencat për edukimin e vazhduar profesional dhe çështjet etike janë bartur vitin që shkoi.

Ministri i inkurajoi drejtuesit dhe anëtarët e Kuvendit të OIK-së që të vazhdojnë edhe më tej me intensitet të lartë në zhvillimin e tyre dhe marrjen e të gjitha përgjegjësive nga ana e MSh-së sipas Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor.

Duke pranuar vendimin e Ministrit për bartjen e plotë të kompetencave për rilicencimin e infermierëve, kryetari i OIK-ut, Naser Rrustemaj, tha se ky vendim është një përgjegjësi e madhe, dhe se OIK është e përkushtuar që të përmbush rolin e saj bazuar ekskluzivisht në ligj. Ai ka falënderuar MSh-në për bashkëpunim në procesin e ndërtimit dhe konsolidimit të kësaj ode që përfaqëson komunitetin më të madh në numër brenda sektorit shëndetësor.

Kurse, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Hysni Bajrami, tha se akti i dorëzimit të vendimit për bartjen e kompetencave për ri-licencim të infermierëve nga MSh-ja tek OIK tregon për përkushtimin e MSh-së për zbatimin e Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor dhe, gjithashtu, për strukturimin dhe konsolidimin e mirë të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor.

Në Kuvendin e VIII të OIK, anëtarët miratuan raportin e punës të odës për 2016-2017 të cilin e prezantoi kryetari i OIK-ut; Rregulloren për Solidaritet dhe Ndihmë Reciproke të OIK-ut; Rregulloren për Këshillin Etik të OIK; planin e buxhetit për gjashtë mujorin 2017 si dhe disa vendime të tjera brenda mandatit dhe përgjegjësive që Odë e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor.