Arbëri

Drejtori i ATK-së tregon cilat biznese bëjnë më së shumti evazion fiskal, paralajmëron ndryshime në menaxhment

Drejtori i Admninistratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në “Puls” të KTV-së, ka treguar bizneset që dyshohet se më së shumti bëjnë evazion fiskal në Kosovë.

Ai ka thënë se duke u bazuar në disa raporte të ndryshme, evazioni fiskal në vitin 2017 ishte llogaritur rreth 30 për qind apo përkthyer në euro, rreth dy miliardë.

“Fusha e ndërtimtarisë është kyçe për të cilën ka dyshime për evazion fiskal. Pastaj vijnë shërbimet, hoteleria, ordinancat e avokatura”, ka thënë ai.

Sa i përket këtyre bizneseve se si bëjnë evazion fiskal, Murtezaj ka thënë se kanë tendencë për të rritur koston e mjeteve të blera e duke minimizuar fitimin.

Duke folur për mbledhjen e borxheve, Murtezaj ka thënë se kjo është pika me prioritetin më të lartë. Sipas tij, s’është kryer punë e mirë deri tash për mbledhjen e borxheve.

“Për dy vjet radhazi, në periudhën 2016-2017, me ligj të veçantë, ATK-ja e të tjerat organizata kanë bërë lehtësime tatimore për bizneset që kanë vështirësi financiare e s’mund t’i shlyenin borxhet. Për këto periudha, ATK-ja ka ‘falur’ rreth 250 milionë euro. Bukur shumë e konsiderueshme”, ka thënë ai.

Murtezaj ka shtuar se bizneset duhet të kuptojnë se pagimi i tatimit duhet të jetë detyrë e rendit të parë.

Sipas tij, katër milionë euro janë shmangiet nga faturat fiktive, ndërsa një milion euro ka pasur shmangie nga kompanitë e sigurimeve.

Murtezaj ka paralajmëruar edhe ndryshime në menaxhment të ATK-së.