Arbëri

Haliti: Kuvendi pret nga Qeveria procedimin e demarkacionit

Deputetja Aida Dërguti, nga Lëvizja Vetëvendosje, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deklaroi se thirrja për mbledhje të kryesisë në gjysmë të natës nënkupton “personalizim të Kuvendit”.

“Mbrëmë pas orës 22:00 u njoftuam për mbledhje të Kryesisë së Kuvendit që nuk është urgjente por me pika të mbetura nga seancat e kaluara. Ky është personalizim i Kuvendit. U krijuan pritshmëritë se mund të jetë çështja e demarkacionit meqë ftesa për mbledhje u bë pak para mesnatës”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti.

Ndërkaq, Xhavit Haliti konfirmoi se nesër do të ketë seancë me interpelanca, ndërsa javën e ardhshme do të ketë seancë të re.

Kurse, për sa i përket iniciativës së LDK-së, Haliti tha se “nëse vjen një propozim i tillë nga Ismet Beqiri, atëherë kjo do të shqyrtohet”.

“Mbledhja është mbajtur me kërkesë të kryetarit. Sa i përket demarkacionit, ajo është obligim i qeverisë që ta sjellë në Kuvend”, tha Haliti, raporton KTV.

Haliti foli edhe për mocionin e mosbesimit nga ana e opozitës, duke thënë se opozita gjithmonë kërkon zgjedhje por nuk është ajo që vendosë për zgjedhje.

“Institucionet nuk funksionojnë mbi kërkesat e opozitës”, deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.