Arbëri

Ministria e Bujqësisë premton përkrahje për kulturat e reja bujqësore

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq, bashkë me drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno, kanë marrë pjesë në promovimin e asparagut, që u mbajt sot në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, ku pjesëmarrës ishin kultivues të asparagut nga gjithë vendi.

Me këtë rast, ministrja ka theksuar do të angazhohen që vazhdimisht kulturat e reja bujqësore të kenë përkrahjen e ministrisë, me qëllim të rritjes së prodhimit e bashkë me këtë ta rrisin edhe interesimin për kultivimin e tyre.

Në anën tjetër edhe drejtuesit e USAID-it thanë se përmes programit aktual të tyre “Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO)”, janë duke punuar me tregjet vendore dhe ato potenciale ndërkombëtare për të shitur sasitë e asparagut që vijnë nga mbjelljet aktuale dhe të reja. Po ashtu ata kanë treguar se janë duke punuar me përpunuesit për të përcaktuar mundësitë e përpunimit për kulturën e asparagut.

Ndryshe, ditët e promovimit të asparagut kanë filluar sot dhe do të zgjasin deri më 4 maj, ndërkaq asparagu është një bimë barishtore, e cila në Kosovë kultivohet kryesisht në Pejë, Obiliq, Vushtrri, Mitrovicë, Lipjan, Istog, Prishtinë dhe Kamenicë.