Arbëri

Gjuriq mbron Vuçiqin nga dyshimet për vrasjen e Ivanoviqit

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovë, Marko Gjuriq, ka folur rreth hetimeve lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Ai në një konferencë për media sot në Beograd tha se janë të turpshme përpjekjet e individëve për të akuzuar në mënyrë implicite autoritetet në Beograd për vrasjen e Ivanoviq, për shkak të dallimeve në qëndrime gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë në 2017.

Gjuriq tha gjithashtu se Oliver Ivanoviq ishte në burg për tre vjet e gjysmë dhe se gjatë asaj kohe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe e ashtuquajtura Zyrë serbe për Kosovën kërkuan lirimin e tij në "mënyrë eksplicite", transmeton KosovaPress.

Ai në këtë mënyrë iu drejtua kryetares së Lëvizjes Evropiane për Kosovën, Rada Trajkoviq, e cila në një emision të televizionit N1, tha se pengimi i hetimit të vrasjes së Ivanoviq vjen drejtpërdrejt nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Rada Trajkoviq kohë më parë akuzoi regjimin e Vuçiqit për terrorizëm shtetëror.

Gjuriq ka kërkuar nga autoritetet kompetente shtetërore të hetojnë akuzat e Trajkoviq, dhe natyrën e marrëdhënieve me institucionet e Kosovës dhe disa diplomatë të huaj, me të cilët, siç ka konfirmuar ajo, mban kontakte të rregullta.

Kreu i Iniciativës SDP, Oliver Ivanoviq, është vrarë më 16 janar të vitit të kaluar. Drejt Ivanoviqit thuhet se u qëllua me armë derisa ai po hynte në ambientet e partisë së tij.

Sipas partisë së tij, policia gjeti tre predha para zyrës, ndërkohë që jo larg nga vendi i ngjarjes, u gjet një makinë e djegur "Opel Astra", me të cilën vrasësi ka të ngjarë të ishte larguar dhe më pas i vuri zjarrin për të mbuluar gjurmët.