Arbëri

Konsulli i nderit Enrique Rajs përplas Pacollin e Konjufcën

Raportimi i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, para komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka qenë mjaftë i tensionuar dhe këtë e nxiti pyetja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i cili e pyeti Pacollin se a kishte emëruar në Ruanda si konsull nderi Enrique Rajs, i cili është duke u përndjekur nga drejtësia amerikane për krim të organizuar.

Konjufca tha se në opinion janë hedhur edhe dyshimet se Pacolli ka lidhje biznesore me Rajsin, për çka edhe i parashtroi pyetjen.

Pacolli pati reagim të ashpër ndaj kësaj pyetje, duke thënë se nëse vazhdohet me këto akuza do ta lëshojë mbledhjen.

Megjithatë kreu i diplomacisë ka mohuar se Rajs është emëruar konsull nderi nga ana e tij dhe se të njëjtin e ka njohur përmes ambasadorit William Walker.

Sipas tij, Rajs e ka ndihmuar atë që Kosovës t’i sjellë dy njohje.

Ai pranoi se në hotelin e tij, Rajs ka blerë një apartament të cilin e shfrytëzojnë familjarët e tij, raporton KP.

Kurse, lidhur me Samitin e Berlinit tha se krerët shtetëror kanë qenë mjaft unik dhe se ka pasur presione të shumta që të pezullohet taksa ndaj Serbisë.

Ai tha presidenti Thaçi ka qenë mjaftë kritik ndaj BE-së dhe se këtë gjuhë e ka vazhduar kryeministri Haradinaj.

Tha se në Samitin e Parisit që pritet sipas tij të mbahet para datës 1 korrik, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e ekipit negociator.

Gjatë kësaj mbledhje, deputetët patën pyetje edhe për ngecjen e njohjeve, për çka kryediplomati kosovar tha se ky proces është mjaft i ndërlikuar dhe se gjatë këtyre muajve e kanë zbuluar lobistin kryesor të Serbisë kundër Kosovës dhe se Serbia po vazhdon që dialogun ta shfrytëzojë për të lobuar kundër Kosovës.

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca pyetje pati edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Lidhur me këtë çështje Pacolli tha se Kosova do të aplikojë së shpejti që të bëhet anëtare e këtij këshilli dhe se momentumi i duhur është pas zgjedhjes së sekretarit të ri.