Arbëri

Masakra e Studimes, Kurti: Serbët s’duhen paragjykuar, por duhen gjykuar kriminelët serbë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, në 20 vjetorin e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, ka kujtuar 116 shqiptarët e vrarë në këtë masakër e cila u krye për 2 orë.

Kurti thotë se në këtë aksion pati bastisje, plaçkitje e ekzekutim dhe se 116 shqiptarë u vranë për dy orë, që i bie se çdo minutë dikush vdiste në Studime të Vushtrrisë më 2 maj 1999.

“Burra e gra, pleq e fëmijë. Nga Azemine Vërsheci, 71 vjeçare, e Bejtë Ferizi, 84 vjeçar, deri te Mexhit S. Gërgjaliu, 11 vjeç. Operacioni i madh ‘Patkoi’ me të cilin Kosova po spastrohej nga shqiptarët, përbëhej nga shumë ‘patkojë’ të vegjël, e një i tillë ishte edhe ky në Vushtrri. Fshatrat viheshin nën rrethim, njerëzit dëboheshin nga shtëpitë e tyre, ua merrnin gjësendet me vlerë, sidomos paratë e kursimeve dhe arin e nuseve, dhe i drejtonin për Shqipëri, për t’ua prerë rrugën pas pak eskadronet policore dhe militare që i pushkatonin këta refugjatë”, ka thënë Kurti në një postim në Facebook.

Kreu i VV-së thotë se 20 vjet më vonë nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët, nuk ka as prehje e kompensim për familjarët e mbetur, nuk ka as pendesë e kërkimfalje nga pushteti në Beograd ku mbeten të njëjtit.

“Sigurisht që nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por sigurisht që duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë. Që plagët e të mbijetuarve të shërohen, që brezit të ardhshëm të mos i bartet trauma, që ardhmëria të jetë e sigurt për të gjithë”, përfundoi Kurti.