Arbëri

Tatëpjeta e hetimeve mbi dëbimin e shtetasve turq

Foto: Koha

Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po heton rrethanat e dëbimit të gjashtë shtetaseve turq nga Kosova për në Turqi, nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, ashtu siç pretendon presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thonë udhëheqës të këtij Komisioni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar është paraqitur para këtij Komisioni për t’u intervistuar dhe ofruar dëshminë e tij lidhur me dëbimin e shtetasve turq, por ai nuk e ofroi këtë dëshmi, duke thënë se Komisioni kishte bërë shkelje të mëdha ligjore në punën e tij.

Sipas Thaçit, shkeljet më të mëdha janë bërë me angazhimin e një eksperti ndërkombëtar për përpilimin e një raporti final në lidhje me këtë rast. Në vend të ofrimit të dëshmisë, Thaçi kërkoi që deputetët e Komisionit të hetohen në lidhje me atë që ai e cilësoi si shkelje të ligjit.

Por, zëvendëskryetari i parë i këtij Komisioni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se pretendimet e presidentit Thaçi për shkelje ligjore janë alibi për të mos dëshmuar. Sipas tij, Komisioni dhe zgjedhja e ekspertit ndërkombëtar është realizuar sipas procedurës së zyrës ligjore të Kuvendit të Kosovës.

“Komisioni Hetimor Parlamentar krejt procedurat e përzgjedhjes së ekspertit ndërkombëtar i ka realizuar në koordinim të ngushtë me administratën e Kuvendit dhe zyrën ligjore. Që i bie se zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës ka përgatitur termat e referencës, ka përgatitur kontratën dhe më pas sekretaria e Kuvendit ka bërë pagesën për këtë ekspertë. Kështu që gjithçka është konform ligjit”, tha Selmanaj.

Të plotë mund ta gjeni në Radio Evropa e Lirë