Arbëri

Paralajmërohen ndëshkime për ata që ndezin goma për 1 Maj

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me rastin e ditës ndërkombëtare të punëtorëve, 1 Maj, ka paralajmëruar qytetarët që nëse ndezin goma dhe gjësende tjera që ndotin mjedisin, do të ndëshkohen.

Ministri Fatmir Matoshi njoftohet se ka kërkuar nga Komunat dhe Policia e Kosovës që të ndërmarrin masa për parandalimin e dukurive të tilla negative dhe ndaj personave të cilat veprojnë në kundërshtim me rregullat të shqiptohen masat ndëshkuese konform Udhëzimit Administrativ Nr.06/2018 për Ndëshkimet me Gjobat Mandatore dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.

“Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Po ashtu edhe Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave, gjegjësisht dënimi për djegie të gomave është 100 euro”, thuhet në njoftim.

Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

Ndezja e zjarreve të tilla, bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës, ka vlerësuar kjo ministri.

“Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëron dënimin e të gjithë atyre që ndezin goma me rastin e kësaj dite, si në çdo ditë tjetër”, thuhet në fund të njoftimit.