Arbëri

Deputetët e koalicionit s’e përkrahin debatin parlamentar për Specialen

Nait Hasani kishte tentuar disa herë në seanca plenare që ta fuste si pikë të rendit të ditës plotësim ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por pa sukses, raporton KTV.

Deputetët e partive në pushtet nuk e mbështetën iniciativën e deputetit të PDK-së, që pat nxitur reagime të ashpra të veteranëve brenda sallës plenare.

Por, Hasani nuk ishte tërhequr nga kërkesa e tij.

Ai ka kërkuar debat parlamentar për këtë çështje, për të cilën i ka siguruar edhe 6 nënshkrime të nevojshme.

Kërkesën për debat Hasani e kishte deponuar në Kryesi, por kjo e fundit e ka ngarkuar komisionin për legjislacion që ta shqyrtojë atë, meqë e kishte të paqartë nëse në të po kërkohen ndryshime ligjore apo vetëm debat.

Kjo praktikë e rrallë ka bërë që sërish Komisioni t’ia kthejë Kryesisë kërkesën dhe ajo të vendosë për datën e seancës plenare.

Anëtarët e Komisionit thanë se kjo është e drejtë e garantuar edhe me rregullore të Kuvendit.

Megjithatë, kryetarja Albulena Haxhiu tha se këto përpjekje deputeti Hasani do të duhej t’i bënte më herët, atëherë kur Specialja kundërshtohej fuqishëm nga opozita.

Kërkesa e deputetit të PDK-së Nait Hasani për debat parlamentar për Specialen vjen pas kërkesës së organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.