Arbëri

Kthimi i shtetasve të Kosovës nga Siria e Iraku nxit debat në Uashington

A mund të parandalohet ekstremizmi duke luftuar shkaqet bazë që i bëjnë njerëzit më të ekspozuar në shtete të brishta ndaj ideologjisë së tij? Me përhapjen e kësaj dukurie në botë, një grup pune në Uashington sugjeron një qasje të re për këtë qëllim.

Me kërkesën e Kongresit, Instituti i Paqes hartoi një raport që arrin në përfundimin se suksesi do të varet nga një strategji bashkëpunimi dhe koordinimi mes partnerëve në këtë luftë në Shtetet e Bashkuara, por edhe nga zgjidhjet lokale. Siç njofton "Zëri i Amerikës", në aktivitetin për publikimin e raportit, një zyrtare e Departamentin e Shtetit disa pjesëmarrës iu përgjigjën edhe pyetjeve për kthimin e luftëtarëve të huaj në Kosovë.

Raporti arrin në përfundimin se sa më i brishtë është vendi, aq më shumë gjasa ka të bëhet emëruesi i përbashkët për një sërë problemesh të lidhura me konfliktin e dhunshëm.

“Në raport përshkruhet një ndjesi padrejtësie, pakënaqësish të thella, mungesa e ndjesisë mes qytetarëve se vendi po ia plotëson nevojat, pra në thelb kontrata sociale është thyer”, thotë presidentja e Institutit të Paqes, Nancy Lindborg.

Steven Hadley, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Institutit të Paqes dhe ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare në kohën e presidentit George W. Bush, thotë se këto vende shndërrohen njëkohësisht edhe në teatër për rivalitetin e fuqive të mëdha. Ai e sheh çelësin tek përgjegjshmëria e qeverive të vendit.

“Nuk mund të kesh stabilitet afatgjatë dhe shoqëri që të kenë aftësinë të mos shpërbëhen nga terrorizmi, nga valët e migracionit dhe nga ndërhyrja e fuqive të jashtme, nëse qeveritë nuk u përgjigjen nevojave të vendit, nuk shihen si legjitime nga populli i vet, nëse nuk janë të zota që të sigurojnë shërbimet që u duhet njerëzve, si arsimi dhe shëndetësia dhe nëse nuk kanë një vizion të shoqërisë të cilin populli e mbështet dhe për të cilin ka vullnetin të punojë”.

Një element jetik për suksesin e parandalimit të terrorizmit në vende të brishta, janë zgjidhjet e brendshme dhe jo të imponuara nga jashtë, thonë autorët e raportit mes së cilëve edhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

“Duhet të motivohen njerëzit që të zgjidhin problemet e tyre dhe jo të ndjehen sikur po u thuhet se çfarë të bëjnë, por ta kuptojnë se janë pjesë e zgjidhjes”.

Por zonja Albright tërheq vëmendjen se zgjidhja do të ishte një kombinim mes përpjekjeve të brendshme dhe atyre nga jashtë. Ajo thekson se roli i Shteteve të Bashkuara është i rëndësishëm, por duhet siguruar mbështetje nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, pasi zgjidhjet afatgjata kërkojnë kohë.

“Ne luftuam kundër gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, por nuk qëndruam aq gjatë sa ç’duhej. Duhet kohë për t’u dhënë udhë çështjeve të qeverisjes për të cilat po flasim, që të gjejmë mënyra proaktive për të mos lejuar grupe ekstremiste të hyjnë në një vend dhe t’i ngatërrojnë gjërat prapë, pasi jemi marrë një herë me to”.

Ndërsa autorët propozojnë zgjidhje për parandalimin e dhunës ekstremiste në të ardhmen, shumë vende përballen me sfidën e pasojave të dhunës që ka ndodhur, ndërsa debatohet fati i luftëtarëve të huaj të rekrutuar nga ISIS-i. Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për lejimin e tyre në vendet nga kanë ikur, por shumë vende nuk kanë pranuar.

Kosova është ndër të vetmet që priti 110 vetë nga Siria javën e kaluar.

Alina Romanowski, zëvendës-koordinatorja e parë për kundërterrorizmin në Departamentin e Shtetit, tha në përgjigje të një pyetjeje të 'Zërit të Amerikës', se Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë ato vende që gjejnë mënyrën për t’i pranuar këta njerëz dhe do t’i mbështesin ato.

“Ne kemi përfaqësuesit tanë ligjorë në ambasada, këshilltarë ligjorë në Ballkan që po punojnë direkt me qeveritë, si edhe duke trajnuar prokurorë dhe gjykatës, që nëse është e nevojshme të ndjekin penalisht dhe të burgosin”.

Ajo shton se Shtetet e Bashkuara punojnë me Kosovën dhe vendet e tjera në kuadër të Forumit Global të Kundërterrorizmit.

“Pra ne nuk po themi thjesht ‘pranojini luftëtarët e huaj dhe kaq’. Ne po zbatojmë një sërë përpjekjesh me të cilat mund të ndihojmë këto qeveri në vendet që i pranojnë ata. Por në fund të fundit janë vetë këto vende që duhet të gjejnë mënyrat se si t’i çradikalizojnë dhe ri-integrojnë luftëtarë e huaj që janë shtetas të tyre”.

Kjo dilemë me të cilën përballen shumë vende sot, përfshirë Shtetet e Bashkuara nxjerr në pah sfidën globale të zgjidhjes së problemeve aktuale, ndërsa bëhen njëkohësisht përgatitje për të parandaluar kriza të ardhshme. Siç u shpreh ish-sekretarja Albright: “shpesh urgjentja i zë vendin të rëndësishmes”.