Arbëri

Biznesmenët në rolin e “konsujve të nderit”

Një import në vlerë 155 mijë euro, që kishte hyrë në Kosovë në vitin 2014, ishte liruar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Malli kishte hyrë në emër të Shkëlqim Devollit, pronar i një prej bizneseve më të mëdha në Kosovë, “Devolli Corporation”.

Devolli ishte konsull nderi i Maqedonisë në Pejë. Vazhdon ta mbajë këtë funksion. E lirimi nga taksa ishte bërë duke u thirrur në paragrafin 1.4 të nenit 11 të Ligjit për TVSH-në, që atëkohë ishte në fuqi, shkruan sot Koha Ditore.

Në këtë paragraf theksohej se tatimi nuk do të paguhet për “importet ose hyrjet të cilat i kanë bërë përfaqësuesit diplomatikë, ose janë bërë për ta apo për zyrat e ndërlidhjes”.

Gazeta e ka parë kopjen e certifikatës, në bazë të së cilës është bërë lirimi nga tatimi mbi vlerën e shtuar për mallin në vlerë 155 mijë euro, por nuk ka siguruar informata në lidhje me lirime të tjera të kësaj natyre. Nëpërmjet emalit zyrtar të “Devolli Corporation”, konsullit i është kërkuar të tregojë vlerën e gjithë mallit që e ka futur në Kosovë, e për të cilën është liruar nga taksat shkaku i statusit diplomatik që ka. Përgjigjja ka munguar.

Në Kosovë, status si të Shkëlqim Devollit ka pasur edhe i vëllai i tij, Blerim Devolli. Deri në këtë muaj, ai ka qenë konsull nderi i Shqipërisë në Pejë. Edhe ky ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetës në lidhje me përfitimet e mundshme biznesore nga statusi diplomatik që e ka mbajtur.

Gent Cakaj, një kosovar që këtë vit është bërë ministër për Evropën dhe për Punët e Jashtme, ka vendosur këtë javë për shkarkimin e Blerim Devollit.....(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)