Arbëri

Gashi e Veseli thonë se po jetësohet fondi rinor prej 1 milion eurosh për zhvillim të ndërmarrësisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një ceremoni të organizuar sot kanë bërë shpërndarjen e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga Fondi Rinor që për qëllim kanë rritjen e punësimit për të rinjtë e vendit tonë përmes zhvillimit të ndërmarrësisë.

Ministri Gashi tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet vazhdimisht e përkushtuar në përkrahjen e rinisë, në zhvillimin e saj përmes projekteve konkrete.

“Me qëllim të avancimit të sektorit të rinisë në Kosovë ne kemi hartuar Strategjinë dhe Planin e veprimit për Rini duke adresuar me theks të veçantë komponentin e punësimit përmes programeve konkrete”, tha ai.

Ministri Gashi po ashtu tha se Plani i Veprimit për Rritjen e Punësimit të Rinjve është zhvilluar me idenë se ky operon në kontekst të ndërveprimit me sektorë të tjerë të politikave publike dhe me strategjitë e tyre respektive.

“Duke u bazuar në Planin e Veprimit për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018 të miratuar nga Qeveria e Kosovës, Agjendën për Reforma Evropiane, Strategjinë e Evropës Juglindore 2020 të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Vizioni i Kosovës për Shkathtësitë 2020 të Zyrës për Planifikim Strategjik dhe Udhërrëfyesi për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka zhvilluar një program për mbështetjen e organizatave jo-qeveritare qe veprojnë si ofrues të trajnimeve të aplikojnë me projektet e tyre që kontribuojnë në rritjen e punësimit përmes zhvillimit të ndërmarrësisë për të rinj të moshës 18-24 vjeç”, theksoi Gashi.

Ai po ashtu njoftoi se Programi për rritjen e Punësimit përmes Zhvillimit të ndërmarrësisë ka një kosto totale të zbatimit prej më tepër se 200 mijë euro dhe tha se “kjo është mbështetja e parë për këtë vit por ne do të vazhdojmë që gjatë këtij viti të mbështesim edhe shumë organizata tjera të cilat kanë për qellim rritjen e punësimit në vendin tonë”.

“Me rëndësi që ky program ka një buxhet rreth 1 milion euro i cili shpërndahet në disa komponentë por që të gjithë e kanë pothuajse një qëllim, një mision, që sa më shumë të rinj të jenë përfitues të programeve të MKRS-së, përkatësisht të Departamentit të Rinisë që vepron në kuadër të Ministrisë”, theksoi ministri Gashi.

Ministri përmendi edhe pilot projektin e vitit të kaluar me 70 të rinj duke e cilësuar si shumë të suksesshëm ngase shumica e atyre të rinjve sot kanë hapur ndërmarrje të vogla dhe po i zhvillojnë aktivitetet e tyre biznesore. Ai po ashtu theksoi rritjen e buxhetit për 110% nga 21 milionë në rreth 45 milionë.

Ndërkaq Kadri Veseli tha se ndjehet i kënaqur që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po i ndihmon të rinjtë të zhvillohen. Ai tha se është obligim i institucioneve që të përkrahen njerëzit inovatorë, që krijojnë vende pune.

“Targeti kryesor janë të rinjtë, të cilët janë aseti më i jashtëzakonshëm i Kosovës. Institucionet e kanë obligim të përkrahin njerëz ndërmarrës dhe që kanë ide, të cilët mund të krijojnë punësim”, tha kryeparlamentari Veseli.

Veseli tha se para 20 vjetëve në Kosovë ka ekzistuar një tendencë për zhdukjen fizike të qenies shqiptare dhe është bërë shkatërrim total i ekonomisë industriale dhe familjare nga ana e Serbisë. Tani, shtoi ai, Kosova është duke ecur në drejtimin e duhur, por ka edhe shumë gjëra që duhet bërë më mirë.

Në lansimin e Fondit Rinor sot u ndanë mbi 200 mijë euro për 21 OJQ, që për qëllim kanë rritjen e punësimit të të rinjve në Republikën e Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim idetë e të rinjve dhe do t’i përkrahim në çdo iniciativë, në mënyrë që gjejnë perspektivë në shtetin e Kosovës. Ky projekt dhe gjitha investimet që po i bëjmë në fushën e kulturës, rinisë e sportit, nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e pakursyer të kryetarit Kadri Veseli. Falë kësaj mbështetje ne si ministri këtë vit e kemi të dyfishuar buxhetin”, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Edhe përfituesit e projekteve nga ky Fond falënderuan kryeparlamentarin Veseli dhe ministrin Gashi për lansimin e këtij fondi për mbështetjen e rinisë.