Arbëri

Franca falënderon Kosovën që e mbështeti për Notre Dame

Foto: Reuters

Ambasada e Francës në Kosovë, ka falënderuar përfaqësuesit politik, fetarë dhe shoqërinë civile të Kosovës, për mbështetjen e tyre, pas zjarrit në katedralen e Notre-Dame në Paris.

Në një postim në Facebook ata kanë shkruar se këto mesazhe të bashkëndjesisë dhe miqësisë prekin thellësisht popullin francez.

“Franca falënderon gjithashtu Qeverinë e Kosovës për kontributin e saj në fondin për restaurimin e Notre-Dame”, thuhet në njoftimin e tyre.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për rindërtimin e katedrales Notre-Dame, e cila u përfshi nga flakët duke shkatërruar kështu një pjesë të katedrales.

Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, se do të ndajë mjete nga buxheti i shtetit, kishte ngjallur reagime të shumta.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Franca nuk ka nevojë për këto para, por për to janë në nevojë kosovarët që po përballen me mungesë fondesh për shërim, e atyre u kërkohen edhe gjëra bazike, sikur janë dorëzat sterile për lindje.

Kurse, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar që në vend se të ndihmohet Franca, Qeveria duhet t’i ridestinojë paratë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale.