Arbëri

Vuçiq: Kosova pa kompromis me Serbinë nuk do të ketë asgjë

Foto: Tanjug

Shqiptarët duhet ta dinë se pa kompromis me Serbinë ata kurrë nuk do të kenë asgjë, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

"Edhe bashkësia ndërkombëtare dhe Gjermania, SHBA, Franca duhet ta dinë se pa kompromis, presionet nuk ndihmojnë," tha Vuçiq në një konferencë shtypi në Beograd.

Duke folur rreth taksës ndaj mallrave serbe, e vendosur nga Prishtina zyrtare në nëntorin e kaluar, presidenti Vuçiq tha se Serbia nuk mundet ‘të durojë përgjithmonë ultimatumet e Prishtinës’.

"Serbia ka pritur gjashtë muaj pa prezantuar masa reciproke për tarifat. Shpresoj që nuk do të ketë nevojë për këtë, por unë ju them se ultimatume dhe veprime të drejtpërdrejta të paligjshme Serbia nuk mund përgjithmonë t’i durojë pa përgjigje", tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të hiqet kur Beogradi zyrtar të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ndërkohë, Serbia ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë dialogun në Bruksel pa heqjen e taksës dhe ka kërcënuar me kundërmasa nëse deri më 6 maj Prishtina zyrtare nuk suspendon vendimin e saj, transmeton KosovaPress.