Arbëri

Edhe Thaçi edhe Haradinaj thonë se s’kanë informacione për ndonjë propozim në Samitin e Berlinit

Samiti i Berlinit pritet shumë shpejt t’i bëjë bashkë krerët shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë, me takimet e kryeministrave e presidentëve.

Ndërmjetës aty do të jenë presidenti Emmanuel Macron dhe kancelarja Angela Merkel, raporton KTV.

Gazeta austriake “Der Standard” ka raportuar të mërkurën se në këtë samit do të varroset përfundimisht ideja e shkëmbimit të territoreve, por do të propozohet status i veçantë për veriun e Kosovës.

Por, kur është pyetur për mundësinë e prezantimit të një draft-marrëveshjeje në këtë samit, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka informacione.

Presidenti Hashim Thaçi, në Facebook ka folur me siguri se nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë- Serbi.

“Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi. Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, ende asnjë takim koordinues nuk kanë zhvilluar presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, për ta paraqitur Kosovën me një qëndrim të njëjtë në Samitin e Berlinit.

Derisa, kryeministri Haradinaj është kundër përfshirjes së çështjes së ndryshimit të kufijve, presidenti Thaçi insiston në idenë e korrigjimit të kufijve.

Për analistin Imer Mushkolaj, dallimet e krerëve të institucioneve për dialogun dhe shkuarja në Berlin pa pasur një qëndrim unifikues, janë të dëmshme për vendin.

Presidenti Thaçi ka thënë se do të ishte dëshpëruese në rast se edhe në Samitin e Berlinit, Franca dhe Gjermania dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin lidhur me liberalizimin e vizave për kosovarët.