Arbëri

Vetëm PDK-ja aplikon në KQZ për t’u certifikuar për zgjedhjet në veri

Foto: Koha

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komuna të pjesës veriore të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan që do të mbahen më 19 maj.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregoi për Koha.net se deri më tani, kanë pranuar vetëm një aplikim të një subjekti politik për t’u certifikuar për zgjedhje, e që bëhet fjalë për PDK-në.

Kujtojmë se paraqitja e kandidatëve duhet të bëhet deri më 18 prill, pra ka afat vetëm edhe një ditë.

“Deri më tani kemi pranuar aplikimin e një subjekti politik për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Bëhet fjalë për partinë politike Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka paraqitur aplikimin për kryetar të këtyre katër komunave. Afati i fundit për subjektet politike dhe kandidatët që të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në këto katër komuna është data 18 prill. Aplikimet në ditën e fundit do t’i presim deri në orën 24:00”, tha Elezi.

Gonxhe Qaushi, është kandidatja e PDK-së për kryetare në Mitrovicën e Veriut, raporton Koha.net.

“Unë e di se keni sfida në pjesën veriore, tani janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat janë shpallur në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. PDK do të marrë pjesë në zgjedhje. Në pjesën veriore të Mitrovicës Gonxhe Qaushi ka qenë kandidate, do të vazhdojmë edhe tani me besimin e madh që të kemi besimin e qytetarëve qysh e kemi pasur në vitin 2017 dhe ta fitojmë komunë e Mitrovicën veriore”, kishte thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, pak ditë më parë.