Arbëri

Abdixhiku: Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës, kanë ato dy vajzat që po kërkojnë ndihmë

Deputeti i LDK-së në parlamentin e Kosovës, Lumnir Abdixhiku ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve për katedralen Notre Dame në Paris.

Ai, nëpërmes rrjeteve sociale, është shprehur kundër ndarjes së mjeteve dhe ka thënë se Franca nuk ka nevojë për to, por nevojë kanë dy vajza që janë duke kërkuar ndihmë për shërim e spitalet për doreza sterile, transmeton koha.net.

Më poshtë është shkrimi i plotë i Abdixhikut në rrjetet sociale:

“Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës; as si substancë e as si simbolikë. Për Notre Dame janë mbledhur mbi 1 miliardë euro tashmë.

Për paratë e Kosovës nevojë kanë ato dy vajza - njëra 2 vjeçe e tjetra 18 - fotot dhe lutjet e së cilave për ndihmë na shpërndahen gjithandej. Për këto para nevojë kanë dhe ato spitale që kërkojnë dorëza sterile para secilës lindje. Për këto para - dhe shumë më shumë - nevojë kanë hallgjorët e Kosovës, qeveria e së cilëve ka vendosur të shitet ‘franquz’”.