Arbëri

Ahmeti: Më mirë të ndahen fonde për ndërtimin shtëpive të rasteve sociale në Kosovë, se për Notre Damen

Foto: Reuters

Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarje të mjeteve në rindërtimin e katedrales Notre Dame, e djegur dy ditë më parë.

Ndonëse ka pranuar se kjo tragjedi ka prekur gjithë botën e edhe Kosovën, e po ashtu ka ngjallur edhe solidaritet gjithandej, Ahmeti thotë se fondet të cilat Qeveria i ka ndarë do të ishte mirë t’i ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale.

“Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë t’i ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata”, ka thënë Ahmeti në një postim në Facebook, raporton Koha.net.

Ai thotë se Francës Kosova ia ka dëshmuar miqësinë dhe solidaritetin dhe “besoj se e dinë që e kemi sinqerisht dhembjen, dhe kjo nuk përmirësohet me para”.

“Por, qytetarit tonë, shteti ka nevojë të ja tregojë edhe solidaritetin edhe përkujdesjen”, potencoi Ahmeti.

Kryeministri Ramush Haradinaj, siç raportoi Kosovapress, gjatë një takimi në forumin e nivelit të lartë për koordinimin e donacioneve të jashtme, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ndajë mjete për rindërtimin e katedrales Notre Dame e cila u dogj dy ditë më parë.