Arbëri

“Ende s’kam dëgjuar të jetë dënuar dikush për vdekjen e punëtorit në vend të punës”

Kushtrim Shaipi, nga Koalicioni për Dialog Social, tha se në Kosovë çdo vit vdesin rreth 20 punëtorë në vendin e punës.

“Ende nuk kam dëgjuar që është dënuar dikush për shkak të vdekjes së punëtorit në vendin e punës”, u shpreh Shaipi në “Puls të KTV-së.

Sipas tij, informaliteti në Kosovë është shumë i lartë dhe punëtorët nuk kanë mbrojtje ligjore sepse nuk kanë as kontrata të punës.

“Ka mungesë të sindikatave në sektorin privat, ose edhe kur ka është shumë modeste. Diku 60% e fuqisë punëtore është pa mbulueshmëri nga sindikatat në sektorin privat”, deklaroi Shaipi.

Alush Sejdiu, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), tha se informaliteti është diku rreth 35% në Kosovë dhe, sipas tij, kjo është edhe arsyeja që njerëzit punojnë pa kontratë dhe paguhen me para në duar.

“Punëtori pastaj është nën stres dhe nuk e ka vendin e punës të sigurt. Po ashtu edhe pagat i kanë të ulëta, prej 130 deri 170 euro... Mesatarisht një familje në Kosovë përbëhet nga 5 anëtarë. Çfarë motivi mund të kenë këta punëtorë të vazhdojnë punën me këto paga”, shtoi ai.

Sejdiu thotë se i vetmi institucion që i ka të dhënat e sakta se sa punëtorë janë të regjistruar në Kosovë është Administrata Tatimore e Kosovës dhe që, sipas tij, janë rreth 272 mijë tatimpagues, ose punëtorë, të regjistruar në Kosovë.


“Ende s’kam dëgjuar të jetë dënuar dikush për... by kohanet
“Ende s’kam dëgjuar të jetë dënuar dikush për... by kohanet