Arbëri

Dërguti tregon se a ka qenë pjesë e SHIK-ut

Descriptive Text

Deputetja e Partisë Socialdemokrate Aida Dërguti ka folur sot në seancë lidhur me të kaluarën e saj në luftë e po ashtu për deklaratat e ish kolegut të saj Glauk Konjufca se ajo ka qenë në Shërbimin Informativ të Kosovës, i njohur me shkurtesën SHIK.

Ajo ka thënë se pas luftës, gjatë periudhës korrik-gusht ka qenë pjesë e G2 në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa SHIK-u është formuar më vonë në dhjetor.

“Po e them publikisht sepse nuk mohoj asnjë ditë të angazhimit tim politik të çfarëdo veprimtarie që kam pas dhe shërbimi im në UÇK ka qenë nder dhe krenari, ka qenë kontribut modest në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret e luftës. Pas përfundimit të luftës, pas armëpushimit ku unë kam qenë pjesë e operacionit ‘Shigjeta’ kemi dorëzuar armët, na është dhënë urdhër të paraqitemi në zonat tona për të vazhduar angazhimin dhe për të dhënë kontributin e mëtejmë. Në këtë kuadër, bashkë me ish-burrin tim kemi qenë të fejuar jemi lajmëruar në shtabin në Kolovicë, ku komandant ka qenë ish-deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi, i ashtuquajturi komandant Leka dhe i cili më ka sistemuar në zonën operative të Llapit, në G2. Detyra ime ka qenë verifikimi i një liste të gjatë të atyre që pretendonin që kanë qenë në UÇK, të luftëtareve që ktheheshin nga zonat tjera, e qysh në atë kohë patën filluar të pa raqiten edhe këta veteranët e rrejshëm të cilët ktheheshin prej kampeve të refugjatëve”, tha Dërguti sot në seancën e Kuvendit.

Ajo kërkon nga palët e përfshira në debat se kush ka qenë në SHIK që të ballafaqohen mes vete dhe t’ia sqarojnë opinionit këtë çështje.

“Ky debat është i degraduar dhe ky debat ka qenë në mes PDK-së dhe LDK-së dhe mendoj që pikërisht duke u marrë me debate koti kemi anashkaluar probleme tjera si ajo e ngritjes së padisë ndaj Serbisë. I thash Glaukut atë ditë se më vjen keq që ke hyrë në këtë debat. Vazhdon akuza se ne jemi ndarë për shkak se ka qenë investim i SHIK-ut dhe madje kjo është një zhvendosje e mendjes nga ajo që na ka ndodhur në të vërtetë. Unë dhe Glauku kemi qenë të fundit në VV që kemi marrë vesh për probleme. Në Vetëvendose ka njerëz që e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën pastaj ua lënë të tjerëve të merren me betejë. Në këtë aspekt mungon një ballafaqim i vërtetë në mes të Dardan Molliqajt dhe Albin Kurtit. Borxh opinionit ia kanë një ballafaqim në mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqaj”, tha Dërguti.

Ajo ka folur edhe për veprimtarinë e saj sa ka qenë në VV duke thënë se çdo veprim e ka bërë me vetëdije.