Arbëri

Bëhet histori çështja e ndërtimit të Spitalit Rajonal të Ferizajt

Historia e ndërtimit të Spitalit Rajonal të Ferizajt po vazhdon. Një herë komuna ndërroi lokacionin e caktuar për ndërtimin e këtij spitali, duke humbur fonde nga investitorë të jashtëm dhe mjetet e ndara nga qeveria.

Ndërkaq, tash për të tretën herë me radhë, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer në rivlerësim tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për këtë projekt, pasi ka gjetur shkelje ligjore gjatë përzgjedhjes së kompanisë fituese, raporton KTV.

OSHP-ja e ka aprovuar si të bazuar ankesën e njërit prej katër operatorëve konkurrues, të cilët ishin ankuar se u ishte bërë e padrejtë, duke anuluar kështu dhënien e kontratës kompanisë fituese.

Derisa zyrtarë të kësaj komune nuk kanë dashur ta komentojnë sërish shtyrjen e nisjes së punimeve, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë.

Megjithatë, e pranojnë se ky proces po zvarritet jashtëzakonisht shumë, por sipas tyre, nuk mund të veprojnë kundër procedurave ligjore.

Ndërkaq, monitoruesit e këtij projekti nga Shoqëria Civile kritikojnë ashpër si komunën ashtu edhe Ministrinë e Shëndetësisë, pasi siç thonë, komuna gaboi kur e ndërroi lokacionin, derisa Ministria shpallte fitues operatorët në lidhje të ngushta familjare.

Vonesat për mosndërtimin e spitalit, opozita e kësaj komune i drejton direkt te kryetari Muharrem Svarqa, i cili sipas tyre, me arrogancën e tij, po i lë pa spital qytetarët.

Në vitin 2013, projekti i ndërtimit të këtij spitali hyri në planin afatmesëm të buxhetit të Republikës së Kosovës, duke ndarë nga 500 mijë euro për çdo vit, por që zvarritja e procedurave në realizimin e këtij projekti ka shkaktuar humbjen e dy milionë eurove.