Arbëri

Vizita e Hoyt Yees në Shkup zbut qëndrimet e Ivanovit, Zaev e Xhaferi i kërkojnë ndihmë

Vizita e zëvendës ndihmës-sekretarit të shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee, në Shkup ka zbutur qëndrimin e presidentit maqedon George Ivanov.

Ai e dënoi për herë të parë dhunën në Kuvend, duke kërkuar zgjidhjet nëpërmjet dialogut, raporton KTV.

Ivanov, pas takimit me diplomatin amerikan ka kërkuar nga SHBA-ja ndihmë në tejkalimin e pengesave për t’i dhënë mandatin shumicës së re parlamentare.

“Përderisa ekziston lidership i vërtetë nga ana e kryetarëve të partive parlamentare pengesat juridike dhe politike për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re mund të tejkalohen”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Presidencës.

Yee ka takuar edhe kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Xhaferi, pas takimit, tha se ka marrë mbështetje maksimale nga SHBA-ja si kryetar i Kuvendit.

Ndërsa kreu i LSDM-së, Zoran Zaev i ka thënë diplomatit amerikan se programi qeveritar garanton unitaritetin e Maqedonisë.

“Kryetari i ri i Kuvendit është zgjedhur në mënyrë ligjore dhe legjitime, në përputhje me Rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën. Vazhdojmë t’i lëvizim proceset me mençuri dhe në periudhën e ardhshme do të veprojmë në formim të qeverisë së re reformatore” ka deklaruar Zaev.


Ai njoftoi se presidenti Ivanov do të marr njoftimin nga Kryeparlamentari i ri se ekziston shumicë parlamentare dhe do të kërkojë nga Ivanov të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe ta jep mandatin për formim të qeverisë.

Në anën tjetër, ka qenë nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e cila ka kërkuar nga Bashkimi Evropian se duhet t’ia bëjë të qartë Nikolla Gruevskit se duhet ta pranojë rolin e opozitës.

Ajo ka kërkuar nga BE-ja mbështetje më aktive për formim të qeverisë së re.

“BE-ja duhet të rrisë angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, ndërsa procesin e zgjerimit ta pozicionojnë si shtyllë kryesore të stabilitetit në rajon”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Gjykata në Maqedoni ka lënë në arrest shtëpiak 4 nga protestuesit e arrestuar që u përfshinë në akte dhune ndaj deputetëve në parlament javën e kaluar, ndërsa tre të tjerë u arrestuan.

Por, ish-prokurori Publik, Stevan Pavleski, ka thënë se përgjegjës për dhunën e shkaktuar në Kuvend është George Ivanovi dhe Nikolla Gruveski.