Arbëri

Mësohet kërkesa e 16 deputetëve të LDK-së drejt Isa Mustafës për demarkacionin

16 deputetë të LDK-së, të cilët janë kundër ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, janë shprehur se do ta votonin atë në Kuvend, nëse Qeveria i përmbush propozimet e tyre për këtë marrëveshje.

Në propozimin e deputetit Adem Salihaj dhe të përkrahur nga deputetë të tjerë të LDK-së, kërkohet nga Qeveria të arrijë një marrëveshje shtesë me Malin e Zi, që pas një viti, marrëveshja e kufirit me Malin e Zi të rinegociohet, raporton KTV.

Salihaj thotë se ekziston gatishmëria edhe e kryeministrit Mustafa për të biseduar për propozimin tyre.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, nuk ka pranuar të flasë për KTV-në, nëse deputetët serbë do ta votojnë në Kuvend demarkacionin apo jo.

E deputeti, Nenad Rashiq, që është kryetar i Partisë Demokratike Progresiste serbe, ka thënë se ende nuk është kontaktuar nga Qeveria për qëndrimin e tij rreth demarkacionit.

“Unë nuk mund të flas në emër të Listës Serbe, por e di që tani për tani, ende nuk kam qenë i ftuar në ndonjë takim sa i përket qëndrimit lidhur me votimin ose mosvotimin e demarkacionit. Vota ime personale në emër të Partisë Demokratike Progresiste serbe, në të cilën jam kryetar, do të varet prej veprimeve të kryeministrit, i cili ka obligime karshi partisë politike që unë e përfaqësoj”, ka thënë Rashiq.

Por, këshilltari i kryeministrit Bajram Gecaj, ka thënë se Lista Serbe ka shprehur gatishmërinë për ta votuar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Duhet të koordinohemi edhe pak në lidhje me detajet, megjithatë, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë deklaruar publikisht se do ta përkrahin ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, ka thënë Gecaj.

Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi i ka bërë thirrje Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa që ta procedojë në Kuvend ratifikimin e demarkacionit.

Zyrtarë të kësaj partie kanë paralajmëruar edhe për prishje të koalicionit me LDK-në, nëse nuk bëhet votimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvend.

Ekzekutivi i vendit ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave, do ta procedojë në Kuvend marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.