Arbëri

Kuvendi i Serbisë do të diskutojë për Kosovën

Çështja e Kosovës do të jetë së shpejti temë diskutimi në Kuvendin e Serbisë, ka thënë kryeparlamentarja serbe, Maja Gojkoviq.

Për këtë, sipas saj, janë pajtuar edhe presidenti Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

"Ne do të diskutojmë në marrëveshje me presidentin e shtetit dhe qeverinë e Serbisë edhe çështjen e Kosovës. Këto janë tema shumë të rëndësishme dhe kështu ne tregojmë se po mbrojmë interesat e qytetarëve në parlament dhe jam i bindur se të gjithë deputetët do të marrin pjesë në debatin mbi këto tema të rëndësishme", tha Gojkoviq për Pink TV, transmeton rel.

Autoritetet në Kosovë dhe Serbi tash e sa kohë kanë filluar debatin e brendshëm në përpjekje për unifikimin e qëndrimeve lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve por edhe për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për të dyja vendet.

Kuvendi i Kosovës kohë më parë ka miratuar përbërjen e ekipit dhe platformën e dialogut.

Megjithatë partitë opozitare si në Kosovë ashtu edhe në Serbi e kundërshtojnë mënyrën se si është zhvilluar dialogu deri më tani.