Arbëri

Berisha për ambasadorët Lu e Vlahutin: “Po sillen si guvernatorë”

Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për ABCnews ka folur për herë të parë për përplasjen mes ambasadorit amerikan me prokurorin e përgjithshëm si dhe rolin e ambasadorëve Lu e Vlahutin në Shqipëri.

Berisha tha se dy ambasadorët po sillen si guvernatorë dhe lejohen në këtë rol, sepse kryeministri Rama është i kapur. Ish kryeministri ka thënë se reformën në drejtësi e pengon kryeministri Rama dhe ata që e mbështesin, e jo prokurori i përgjithshëm, që nuk ka fuqi legjislative për ta bërë këtë.

Berisha tha se Rama bashkë me ambasadorët shkelmuan që në fillim marrëveshjen për reformën në drejtësi duke e përjashtuar opozitën dhe u desh ndërhyrja e departamentit të shtetit dhe e Brukselit që ajo të arrihej.

Ish kryeministri është ndalur edhe tek protesta e opozitës duke e quajtur atë një revolucion pa kthim. Berisha tha se kërkesa për qeveri teknike është legjitime për të pasur zgjedhje të lira, e se Ilir Meta është i mirëpritur, nëse do ta luajë këtë rol, për t’i siguruar qytetarëve votën e lirë. Opozita duhet të hyjë me çdo kusht në zgjedhje, tha Berisha, por jo me Edi Ramën.