Arbëri

Numri special i “Kohës Ditore” i kushtohet migrimit të rinisë

 

Vala e re e ikjes së të rinjve nga Kosova drejt Perëndimit, është kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.

Shkrimi kryesor me titull “Braktisja e madhe e vogël”, flet për arsyet e ikjeve në mënyrë të rregullt, për dallim nga ato të viteve 2014-2015, kur kosovarët zgjodhën rrugët ilegale për ta lëshuar vendin.

Aty mund të kuptoni se pse migrimi me viza pune është forma më e rrezikshme për Kosovën.

Po ashtu, te tema e javës, mund të lexoni të dhëna demografike për tkurrjen e popullsisë në dekadën e fundit.

Shkrimi i Agron Bajramit tregon se a ka të bëjë ikja e qytetarëve me abuzimin e pozitës nga pushtetarët për punësime familjare.

Në intervistën e javës, flet drejtori i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane, Demush Shasha, i cili tregon të përbashkëtat ndërmjet protestave të zëshme në Ballkan dhe braktisjen e heshtur të Kosovës.

Në faqet e së dielës, mund të lexoni edhe reportazhin për trenin që kishte bartur për në Bllacë refugjatët shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, 20 vjet më parë.

“Mplakja e botës” dhe “Suedezët e ‘gjelbër’ u kthehen udhëtimeve me tren”, janë dy prej shkrimeve nga faqet e botës.

Fejtoni, këtë javë, sjell përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta ringjallur turizmin në vitet nëntëdhjetë.

Në rubrikën ‘kosovarçe’, vjen shkrimi për një shtëpi në qytetin e Pejës, e cila shërben si adresë shpëtimi për dhjetëra viktima të dhunës në familje.

Rubrika e kulturës sjell artistin Avdi Hajdari, i cili, paketimet e barnave i përdor për të realizuar vepra arti.

Në Monument mund të lexoni për traditën 8-dekadëshe të byrektores “Emini”, në Prishtinë.

Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti, veçohet ai për karateistin 15-vjeçar nga Mitrovica, Rigon Baruti, i cili fitoi medaljen e artë në Kampionatin mesdhetar të karatesë në Turqi.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.