Arbëri

Thesari Amerikan premton vazhdimin e mbështetjes për Kosovën

Descriptive Text

Ministri i Financave Bedri Hamza gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pritur në Thesarin Amerikan të Departamentit të Shtetit nga zyrtari i lartë i këtij institucioni, Larry McDonald, me të cilin ka diskutuar për kontributin që ka dhënë Thesari i Shtetit dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se ministri Hamza e njoftoi z. McDonald për progresin që ka bërë Kosova në rrugën e vet të zhvillimit, për stabilitetin makro-fiskal, për detyrat që presin para për zhvillimin e vendit të cilat po adresohen me shumë kujdes për të pasur një rritje më të madhe ekonomike dhe zhvillim më të madh të shtetit tonë.

Ai gjithashtu e njoftoi z. McDonald edhe për reformat e ndërmarra si në politikat fiskale dhe ato administrative në Ministrinë e Financave, të cilat po japin rezultate shumë pozitive si dhe për sfidat fiskale që i ka Kosovapërpara dhe hapat që po i ndërmerr Ministria e Financave për t'i adresuar në mënyrë shumë të kujdesshme duke pasur parasysh ruajtjen e stabiletit makro fiskal.

Gjatë takimit ai e falënderoi Thesarin e Departamentit të Shtetit Amerikan për tërë ndihmën që e ka dhënë për ndërtimin e institucioneve financiare në Kosovë, që nga themelimi i shtetit tonë dhe u shpreh se Thesari Amerikan është pjesë e historisë së suksesit të institucioneve të Kosovës.

Z. McDonald nga ana e tij e përgëzoi ministrin Hamza për arritjet e Kosovës, duke filluar nga rritja më e madhe ekonomike në rajon, stabilitetin makro – fiskal, si dhe numrin e madh të reformave që ka bërë Ministria e Financave, e të cilat po ndikojnë në rritjen e zhvillimit ekonomik.

Po ashtu z. McDonald u shpreh i lumtur me ndihmën që po ofron Thesari i Departamentit të Shtetit Amerikan për zhvillimin e institucioneve dhe kapitalit njerëzor që janë aseti më i vlefshëm i shtetit të Kosovës, dhe premtoi se Thesari Amerikan do të vazhdojë mbështetjen edhe në të ardhmen.

Ministri Bedri Hamza gjatë qëndrimit në Washington do të takohet edhe me zëvendësdrejtorin e Bankës Botërore z.Cyril Muller dhe zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së z. Toa Zhang.