Arbëri

Komision për hetimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë në Kosovë, mbështesin konkluzionet dhe rekomandimet të cilat kanë rezultuar nga konferenca rajonale për sigurinë e gazetarëve, të organizuar të martën nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Kryetarët e dy shoqatave, Shkëlqim Hysenaj dhe Budimir Niçiq mbështesin krijimin e një komisioni për të hetuar rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë dhe u bëhet thirrje organeve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të drejtësisë për të siguruar mbrojtje të veçantë për gazetarët, dhe për të ndjekur penalisht dhe në kohë të gjitha rastet e krimeve e kryera ndaj gazetarëve në Kosovë.

Kryetarët gjithashtu u dakorduan të bashkëpunojnë ngushtë me organet për zbatimin e ligjit që t’i procedojnë me prioritet të gjitha rastet që përfshijnë gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias, dhe presin nga prokuroria që të punojë për zbardhjen e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur sa më parë të jetë e mundur.